Policia e Tiranës ka dhënë sot detajet për një video që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ku dukej një person mashkull që dhunonte një femër.
Forcat blu bëjnë me dije se kanë shoqëruar në Komisariat shtetasin R.Rr. 26 vjeç dhe e kanë proceduar penalisht.
Ndërkaq Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka pezulluar nga detyra edhe efektiven e policisë që u pa në video që nuk ndërhynte kur ky person dhunonte gruan.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Lidhur me videon e publikuar në mediat sociale, ku një i ri shfaqet me pamje duke dhunuar një femër në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”, Tiranë, në interes të opinionit publik informojmë se:
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në datë 31.07.2019, rreth orës 07:30 minuta.
Shërbimet policore kanë shoqëruar në Komisariat shtetasin R.Rr. 26 vjeç dhe e kanë proceduar penalisht. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, pas pezullimit nga detyra të punonjëses së Policisë që ishte pranë vendit të ngjarjes, ka nisur verifikimet për veprimet apo mos veprimet e saj.