Nga Artur Ajazi
Prej muajsh dhe veçanarisht prej ditësh, “kullat” e Teatrit Kombëtar, i kanë prishur gjumin liderit të opozitës së vjetë, duke u veçuar në çdo paraqitje televizive me termin e “kullave të kullës”. Duke nisur fjalimet e tij të zbehta nga vapa, me “vjedhje e madhe, kullat e oligarkëve, nuk do të lejojmë ngritjen e kullave”, duket se PD ka rënë në grackën ose në nivelin e kullave.
Ajo duket fiks fare si një parti kullë, që merret, jeton dhe punon vetëm për kullat. Sikur të mos kishte qenë kurrë në pushtet, sikur të mos kishte firmosur dhe vulosur kurrë për prishje vlerash arkeologjike dhe ndërtime kullash, Partia Demokratike, e cila së fundi i ka dalë në mbrojtje edhe artit skenik (kur deri dje nuk e kishte fare në listë) po bën opozitë vetëm me kullat.
Kjo fjalë po zë pothuajse gjithë fjalimet e Lulzimit, gjithë ligjërimet e tij në media dhe para mbështetësve të tij që mblidhen para bashkive për të mos liruar zyrat e ish-kryetarëve.
Duke përdorur si argument aspak bindës “kullat e Teatrit Kombëtar” edhe pse e di fare mirë se ato nuk kanë asnjë lidhje me tatrin e ri, duket se kreu i opozitës së kullave, po provon ashtu kot, të duket sikur po bën “mbrojtjen e aktorëve”.
Kurrë në jetën e saj Partia Demokratike sa ishte në pushtet, nuk është marrë ndonjëherë seriozisht me artin skenik, kurrë nuk ka patur qasje pozitive për aktorët e rinj dhe të vjetër, kurrë nuk ka menduar dhe investuar për godinat e teatrove në rrethe, dhe sot kryetari i PD merret me “kullat e oligarkëve” tek Teatri Kombëtar.
Të luash teatër politik me argumenta bindëse që pasqyrojnë ide dhe programe ja vlen,(sepse është lojë e duhur) por të merresh me kullat pas teatrit gjithë ditën, dhe të mendosh se do të “jem i besueshëm në popull”, kjo është njëlloj sikur të thuash “hajde ta provoj njëherë shansin edhe këtej”.
Veçse një gjë nuk kuptoj, përse Lulzimi dhe PD merren kaq shumë me kullat, dhe janë marrë gjatë duke nisur nga ato tek Liqeni Artificial, e duke vazhduar me kullën tek Stadiumi i ri, dhe tashmë me kullat tek Teatri Kombëtar.
Pa ditur asgjë, dhe duke qenë i ndërgjegjshëm se gabon, Lulzimi u është turrur kullave, dhe po bën opozitë me kullat. Duke paraqitur si “kalkulime të sakta” të mijëra metrave katrore “tokë të vjedhur për t’ja falur oligarkëve”, kryetari i opozitës harron se deri para pak vitesh me ata oligarkë, ka punuar edhe ai për të ngritur kulla dhe pallate në Tiranë dhe kudo.
Por pavarsisht kësaj, Lulzim Basha duke qenë në “dakortësi” të plotë edhe me kreun aktual të shtetit Meta, i është sulur kullave. Duket sikur vjen nga një parti kullë, që bën politikë me kulla, për tu marrë me kulla, për të jetuar me kulla, dhe për të luftuar qeverinë me kulla.
Hajde besoje një opozitë që pengon në çdo minutë të ditës dhe natës progresin e artit dhe jo vetëm, hajde besojë një opozitë që ngryset me premtime të tjera dhe gdhihet me “alarmin” e kullave tek Teatri Kombëtar. Hajde besoje një opozitë që sa ishte në pushtet, nuk la hapësirë të gjelbër në qytete dhe bregdet pa mbushur me kulla, dhe që sot i “dhimbset” toka ( ku nuk preket asnjë cm) ku ndodhet Teatri Kombëtar.
Nejse deri në shtator, PD ndoshta do të gdhihet një ditë me ndonjë emër të ri, por kurrsesi duke mos harruar “kullat”, (por duke harruar aktorët) pasi ato janë ëndrra e një opozite e cila vjen nga kullat, dhe shkon drejt kullave.