Policia, përmes një operacioni të mirëmenduar dhe të organizuar deri në detaj arrestoi tre persona si gjobëvënës të një shume prej 50 mijë euro për një biznesmen.
I pari i arrestuar është Lulzim Zalla, 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, Egi Shullazi, 26 vjeç banues në Krujë dhe Klodian Estrefi 40 vjeç, banues në Xhafzotaj të Durrësit.
Të tre këta persona u identifikuan lehtësisht, sepse pasi zhvatën biznesmenin durrsak ra në sy jeta e luksit me makina dhe pushime të shtrenjta. Gazeta SHQIP sjell fotot e dy prej të arrestuarve sot në qytetin e Durrësit, pas një operacioni të Policisë së Shtetit.
Të tri këta persona akuzohen se i kanë vendosur një gjobë biznesmenit N.L., prej 50 mijë eurosh. Ata u zbuluan pasi kishin kohë në përgjim. Dy prej tyre u arrestuan në flagrancë, teksa po merrnin këstin e radhës prej 5 mijë eurosh nga biznesmeni durrsak, i cili ishte në shantazh prej disa muajsh.
Egi Shullazi, 26-vjeçari që shihni në këtë foto, nga Kruja, duket se ka ditur ta shijojë jetën me paratë që ka fituar nga gjobëvënia. Udhëtime jashtë vendit, dhe makina të veçanta, janë disa nga pasionet e të riut.
Më ekonomik është 40-vjeçari Klodian Estrefi. Pushime në Syrin e Kaltër, dhe udhëtime brenda Shqipërisë. Nuk mungojnë pozat me kostume origjinale sportive.
Tanimë, ata janë në pranga dhe do të përballen para gjykatës me akuzat për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë “, në bashkëpunim.
g.kosovari