Nga Ardit Rada/
Ilir Meta e ka gjetur kauzën e tij verore: të votojmë në 13 tetor, si e vetmja alternativë, sipas tij, për të shpëtuar vendin. Dhe shpëtimi i vendit lidhet edhe ai me një datë precize: 18 tetorin, ditën kur Këshilli Evropian do të vendosë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Prej javësh presidenti përpiqet të lidhë me pe të bardhë këto dy data, duke u munduar të bëjë sikur nuk sheh, sikur nuk dëgjon dhe sikur nuk kupton që sipari i zgjedhjeve të pushtetit vendor është mbyllur më 30 qershor. Megjithëse gjykatat e vendit po pajisin dora-dorës të 61 krerët e rinj bashkiakë me mandatet e reja katërvjeçare, Presidenti vijon të ngulmojë që zgjedhjet lokale të mbahen në datën 13 tetor. Megjithëse BE, institucioni që do vendosë për negociatat, i ka përshëndetur tashmë zgjedhjet e 30 qershorit, sërish Meta ngulmon se Brukseli mund të na heqë vizën po nuk votuam… më 13 tetor! Megjithëse të njëjtjën gjë si evropianët e kanë bërë edhe amerikanët, duke njohur zgjedhjet e 30 qershorit, Ilir Meta bën “shurdhin”, duke insistuar në datën e fundit të dekretuar prej tij.
“Populli ynë nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar! Kemi dhe fare pak kohë për të mos kaluar në KundërKohë! Nuk na mjaftoi që ishim në KundërKohë me gjithë qytetërimin Perëndimor për 45 vite?”, shprehet kreu u shtetit, duke u munduar të ndërtojë kështjellën me rërë të 13 tetorit, madje duke e zbukuruar atë edhe me lajme apokaliptike, siç janë supertërmetet në Ballkan!
Ilir Meta ka kohë që udhëton në një korsi të vetën, në një univers paralel që prodhon dhe konsumon të vërtetat e veta. Lidhja e pabazuar askund e 13 tetorit, me momentin kur BE do të vendosë për negociatat me Shqipërinë, është prova më e prekshme e këtij realiteti virtual brenda të cilit jeton sot Ilir Meta.
“Duhet hequr dorë urgjentisht nga kokëfortësia për të ecur në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe joeuropiane, që s’kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga europiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët”, thotë ai për lidershipin politik, duke bërë sikur harron se është edhe vetë pjesë thelbësore dhe historike e këtij lidershipi, e kësaj mënyre të konceptuari të politikës dhe shoqërisë.
Dy datat e mësipërme nuk kanë asgjë të përbashkët. Shqipëria nuk do të ngelet në klasë nëse voton në 30 qershor ose në 13 tetor. Ajo nuk do të kalojë provimin e vjeshtës, nëse e merr ose jo parasysh betejën vetmitare të Presidentit.
Janë të tjera parametra që kanë lënë deri më sot jashtë dhe që Meta dhe krerët e tjerë politikë i dinë fort mirë.
Kjo e kryetarit të shtetit shqiptar është një luftë personale dekretesh, që i ngjan qëndrimit në llogoret e Paqësorit të ushtarëve japonezë, shumë vite pasi Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar!