Nga Mero Baze
Të gjithë ata që përpiqen të parashikojnë dialogun mes Partisë Socialiste dhe opozitës, duhet të jenë të qartë se tashmë pengesë për dialogun nuk janë kushtet që recitonte Lulzim Basha për dorëheqje të Edi Ramës, por fakti që dialogu me Edi Ramën, është asgjesimi politik i Lulzim Bashës.
Tani pengesë për dialogun nuk është më as ulja në tryezë me Edi Ramën, as kërkesat e opozitës, as vijat e kuqe që mund të heqë qeveria, as neutraliteti i faktorit ndërkombëtar.
Problemi i vetëm përse nuk mund të ketë dialog, është se dialogu rrëzon nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.
Futja në dialog me Edi Ramën pas shpartallimit politik, do të ishte një vdekje politike për njeriun, që nuk pranonte të hynte në zgjedhje me të si Kryeministër dhe nuk pranonte të ulej në tryezë bisedimesh për zgjidhje të krizës. Duke luftuar “o të gjitha o asgjë”, ai tani meriton të shijojë asgjënë.
Prandaj në këto kushte të gjitha thirrjet për dialog, janë ose hipokrite, ose të drejtuara kundër Lulzim Bashës.
Ilir Meta po flet për nevojën për dialog. Aleatët e djegur të Lulzim Bashës, si Duka, Mediu e kompani po flasin për nevojën për dialog. Biles kanë “avancuar” pasi pranojnë të ulen dhe me Edi Ramën si kryetar i Partisë Socialiste. Media rrotull opozitës po flet për nevojën për dialog.
Në një farë mënyre të gjithë ata që nuk kanë përgjegjësi direkte për vendimmarrjen për bojkotin e zgjedhjeve dhe diegien e mandateve, po belbëzojnë për dialog.
Por ka një njeri që nuk flet dot për dialog dhe ai është Lulzim Basha. Jo se nuk e do. E ëndërron natë e ditë. Por problemi i tij është se para se të hyjë në dialog, ai duhet të pranojë përgjegjësiën e kësaj që ka bërë. Dhe nëse e pranon atë përgjegjësi, nuk ka nevojë më për dialog, pasi ai është i vdekur automatikisht si politikan.
Mbi të gjitha tema e çeljes së dialogut mes qeverisë dhe opozitës është një temë që duhet të konsumohet një herë brenda Partisë Demokratike si debat publik, duhet të bëhet një herë bilanci i mungesës së dialogut dhe shpresa nga dialogu i ri, duhet të dalë një herë përgjegjësia për shmangien e dialogut me qeverinë para zgjedhjeve dhe nëse ata mendojnë, se mund të shkohet drejt një dialogu të ri, atëhere mund të vazhdohet përpara.
Por Edi Rama nuk ka përse ndërhyn në zhvillimet e brendshme në opozitë, duke thirrur në dialog Lulzim Bashën. Opozita duhet ta konsumojë një herë vetë temën e dialogut dhe duhet ta votojë pjesëmarrjen në dialog dhe jo ta lërë në vullnetin e Lulzim Bashës që mbyllet në një dhomë me Edi Ramën gjithë natën dhe pastaj i lë “kopilin në derë PD”.
Qeveria nuk është në siklet nga dialogu. Ajo është kaluar pasi e ka zbatuar axhendën e saj, i ka kryer zgjedhjet më 30 Qershor dhe vazhdon pa problem punën e saj.
Dialogu është vetëm një mënyrë për të ndryshuar opozitën, një mënyrë të cilën Edi Rama nuk duhet ta keqpërdorë. Ai nuk mund të faktorizojë çdo njeri që kërkon dialog nga opozita, por duhet të ulet në dialog me opozitën, kur ajo ta ketë konsumuar këtë problem, kur të ketë nxjerrë përgjgjësitë e mungesës së dialogut dhe kur të jetë e qartë, se vetëm përmes dialogut mund të rikthehet nga rruga, në institucione.
Përkrahësit e revolucionit në rrugë, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha, nuk kanë pse ulen në tryezë me Edi Ramën, nëse nuk pranojnë se dështuan me revolucionin e tyre dhe nëse nuk marrin përgjegjësi për këtë rrugë para demokratëve.
30 Qershori, nuk mund të jetë një histori pa asnjë humbës. Edi Rama i fitoi të gjitha ndërsa Lulzim Basha i humbi të gjitha. Dhe ky bilanc duhet të certifikohet nga opozita, tani që dhe bashkitë që nuk do t’i dorëzonte po i dorëzon brenda 10 minutash.
Kur ta kenë përfunduar këtë proces dhe kur opozita ta ketë pranuar përgjegjësinë e tyre, atëhere e vendosin ata se kush do ulet në tryezë me Edi Ramën. Se tani nuk është më koha, që thuhej “nuk shkojmë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër”, por është koha të thuhet “nuk shkojmë në tryezë me Lulzim Bashën kryetar”.