Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka organizuar sot pritje për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në diasporë.
Ai me këtë rast tha se kontributi i diasporës për vendin tonë nuk do të harrohet kurrë, jo vetëm për shkak të mirave materiale që dërgojnë, por pasi janë gjaku dhe njerëzit e kësaj toke.
Duke folur për vështirësitë e diasporës shqiptare, Haradinaj tha se pavarësisht këtyre sfidave, asnjë herë nuk ndryshon dashuria e bashkatdhetarëve për vendin e tyre.
“Një gjë që nuk ndryshon asnjëherë dashuria e njerëzve për vendin e vet, për tokën e vet, për vendin e lindjes, për aty ku kanë lind, vetë ose prind. Shqiptarët janë me fat për ju, për diasporën që nuk ka hekur dorë prej atdheut në asnjë rrethanë dhe asnjë etapë. Pra, dhe kur bini në këtë vështirësi nuk keni hequr dorë prej atdheut. Sado që ndonjë herë duket që vërtet ju kemi harruar, por ne nuk ju kemi harruar. Jo vetëm për shkak të parave që dhe sot ia jepni atdheut dhe i keni dhënë në kohë të vështira për përpjekjet për liri. Por, nuk iu kemi harruar se jeni gjaku jonë, familja jonë, jeni njerëzit e kësaj toke të këtij vendi”, tha Haradinaj.
Në emër të përfaqësuesve të diasporës, foli shkrimtari Riza Sheqiri, i cili tha se gjithë sukseset e tyre i adresojnë në Kosovë.
“Diaspora shqiptare sot nuk është hamall, punëtorë të servisit, por janë njerëz që krijojnë vlera barabartë me vendësit. Prandaj për gjithë ato sukses diaspora sot i reflekton te vetëlindja, tek atdheu”, tha ai.
Ndryshe, gjatë këtij takimi kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt iu dorëzua një portret prej bashkatdhetarëve të diasporës.