Policia Kufitare dhe FNSH kanë mundur të shpëtojnë 14 pushues në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen.
Sipas policisë për shpëtimin e këtyre pushuesve janë bërë tre ndërhyrje. Fillimisht janë ndihmuar 5 persona nga Shkodra e Kosova të cilët më pas janë transportuar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Po në grykën e Vilunit janë shpëtuar edhe 9 persona Çekë të cilët kishin ngelur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. Falë ndërhyrjes së Policisë të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën.
Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një pushues i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit. Kujtojmë se ditën e sotme për shkak të motit të keq në det ka patur dallgë të mëdha.
Një 33-vjeçar i cili po bënte xhiro me një motor uji ka humbur jetën në Gjirin e Lalëzit për shkak se ka rënë në det. Po kështu një pushuese në plazhin e Durrësit ka ndërruar jetë për shkak të problemeve me zemrën.