Studjuesi dhe autori Ryan Gingeras sqaron se Ali Kemali në librin e tij është një tjetër.
Duke iu përgjigjur shënimit tim në rrjetin social Tuitër, lidhur me prejardhjen shqiptare të kryeministrit të ri britanik, Boris Johnson, Gingeras u shpreh:
“Ishte një Ali Kemal krejtësisht tjetër. Unë e kisha fjalën për Kapitenin Ali Kemal dhe jo Ali Kemalin që u bë Ministër i Mbrojtjes gjatë të njëjtës periudhe”.
Gingeras, me të cilin ndërndiqemi në Tuitër është autor i njohur i një seri veprash për Perandorinë Turke, sidomos periudhës së fundit të saj.
Pikërisht një vepre të tij, “Brigje të trishta” (Dhunë, Etnicitet dhe fundi i Perandorisë Otomane 1912-1923) i referohen lajmet e fundit në median shqiptare sipas të cilave, stërgjyshi ottoman Ali Kemali, i udhëheqësit konservator Jonson, është me origjinë shqiptare.
Boris Johnson, i cili në fotografinë e mësipërme ka dalë gjatë një vizite në një xhami shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, ka qenë dikur kryetar bashkie i Londrës dhe ka qenë një nga mbështetësit e referendumit Brexit që kërkoi daljen e MB-së nga Bashkimi Europian.
Ryan Gingeras është profesor, studimet e të cilit kanë qenë qendër të vëmendjes sidomos Turqinë dhe Ballkanin dhe libri i tij i radhës që do të botohet në nëntor, titullohet “Agimi i Përjetshëm (Turqia në kohën e Ataturkut)”, kushtuar themeluesit të Turqisë Moderne. (Ruben Avxhiu)