Ditën e sotme komisionerëve Publikë iu paraqit rekomandimi nga ONM për të ankimuar konfirmimin e Kastriot Selitës.
Selita, gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë u konfirmua në detyrë në datën 18.6.2019.
“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”,- bëhet e ditur në njoftimin e publikuar nga institucioni i Komisionerëve publikë.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
g.kosovari