Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 u shpreh se si opozita, ashtu edhe qytetarët, por edhe artistët, kanë një kauzë për t’u bërë të gjithë bashkë.
Ai tha se ditën që do të nisë shembja e Teatrit Kombëtar, opozita duhet ta bëjë simbol këtë ditë, të bëjë rezistencë bashkë me qytetarët.
“Aktorët janë gati të ruajnë godinën e Teatrit Kombëtar, por opozita nuk duhet ta shikojë çështjen e Teatrit thjesht si teatër…
Se do vijë një ditë për shembjen e Teatrit dhe opozita duhet ta bëjmë simbol këtë ditë, simbol rezistence.
Të dalin njerëzit, të bëjnë barrikadë, të bëhet aty një betejë për komunitetin, për fëmijët tanë.
T’ju dilet përpara banditëve me të cilët Rama pastron paratë”, tha Lubonja.
Sipas analistit, opozita duhet të zgjedhë një moto gjithëpërfshirëse, që sa më shumë qytetarë të gjejnë veten e t’i ndjekin në rrugën që ata kanë ndjekur.
“Duhet një projekt i një Shqipërie tjetër që ta asimilojnë njerëzit, atëherë s’ka burrë nëne që e shemb Teatrin, se shkon gjithë Tirana atje.
Më vjen në mendje një slogan: ”Shteti jemi ne”, pra e kam fjalën për ne qytetarët.
Ky mund të ishte një slogan që njerëzit të bëhen pjesë”, tha Lubonja.