Nga Astrit Patozi
Kolegji Zgjedhor rrëzoi sot ankimimet e BINDJES DEMOKRATIKE, duke i hapur rrugë mbylljes së kapakut për zgjedhjet e 30 qershorit. Por edhe pse kjo ishte mundësia jonë e fundit insistucionale për të provuar që procesi ishte i deformuar, asgjë nuk ndryshon në faktin që vota u tjetërsua nga përfaqësuesit e qeverisë në komisione dhe në tavolinat e numurimit.
Duke qenë garues në këto zgjedhje, ne u bëmë dëshmitarë të manipulimit të vullnetit të zgjedhësve, një sëmundje e rëndë kjo e politikës sonë, që vijon prej shumë vitesh. Kërkesës sonë ligjore për të pasur përfaqësues në komisionet e votimit dhe në grupet e numërimit KQZ-ja me dominancë socialiste dhe KZAZ-të me përfaqësim 100 për qind të qeverisë iu përgjigjën me arrogancë, duke e refuzuar arbitrarisht.
Kjo solli për pasojë që në terren ne të kishim vetëm vëzhgues të zgjedhjeve, në gjetjet e së cilëve u konstatuan shkelje të rënda në shtimin fiktiv të votuesve dhe në ndryshimin e votave në tabelën e rezultateve, sidomos në listat e këshillave bashkiake.
Kjo ishte arsyeja që menjëherë pas zgjedhjeve, ne e ankimuam në KQZ rezultatin në të gjitha ato zona zgjedhore, ku BINDJA DEMOKRATIKE pati mundësi që të konkurronte.
Natyrisht, që vendimet e KQZ-së në fillim dhe sot të Kolegjit Zgjedhor nuk sollën asnjë surprizë për ne dhe për publikun, ndonëse pretendimet tona ishin të drejta dhe të mbështetura fort në Kodin Zgjedhor.
Me sa duket halli i kryeministrit Edi Rama për ta mbyllur me dyll këtë kapitull të errët të qeverisjes së tij ka mbizotëruar mbi ligjin dhe të drejtën tonë. Me këto vendime, njeriu, që 10 vjet më parë thërriste ‘’hap kutitë, ose largohu!” për një palë zgjedhje, ku kishte qenë i pranishëm me të gjithë armatën socialiste të komisionerëve dhe numuruesve, ka marrë shumë përsipër.
Sepse ato janë një provë e tërthortë, por e qartë, se janë futur duart në kuti nga ata që i administruan dhe u numëruan të gjitha votat, natyrisht, duke patur merak vetëm thesin e tyre. Dhe ata ishin pa përjashtim të gjithë përfaqësues të Edi Ramës atje.
Manipulimi i rezultatit të 30 qershorit, ndonëse ishin zgjedhje ku qeveria ishte e avantazhuar dhe nuk kishte shumë nevojë që të vidhte vota, e bëjnë të dosmosdoshme nevojën e një reforme të thellë zgjedhore, si kushti i parë për të pasur një proces normal në të ardhmen. Shqipëria duhet të hyjë në një cikël të ri duke i dhënë fund këtij sistemi të kalbur politik, i cili për shkak se është në grahmat e fundit, ka prodhuar këtë krizë të pashembullt, që po i shkakton shumë kosto vendit.
BINDJA DEMOKRATIKE është e vendosur që të japë kontributin e vet në funksion të këtij qëllimi madhor, i cili më shumë se për të zgjidhur hallet e partive politike, duhet t’i shërbejë të gjithë shoqërisë shqiptare, që vuan prej shumë vitesh padrejtësht pasojat.