Lideri i opozitës, Lulzim Basha gjatë turit të tij elektoral në degët e PD-së në rrethe, u ndal në Kurbin, ku u shprehu demokratëve mirënjohjen për refuzimin sipas tij të 30 Qershorit, ‘duke krijuar shumicën absolute ‘Rama ik”. Ai tha se varfëria, papunësia, mungesa e mundësive në jetë, vjen prej grabitjes dhe plaçkitjes që po i bëhet Shqipërisë nga Edi Rama me një grusht hajdutësh.
“Kjo shumicë absolute është në radhë të parë, treguesi i vetëdijësimit të njerëzve se 30 qershori nuk bëhej për ta, por bëhej për Edi Ramën dhe një grusht banditësh dhe oligarkësh me të cilët sundon qeverinë. Po të heqim pjesëtarët e administratës, të cilët u sollën me forcë në proces dhe lanë në fletëvotime dëshmitë “më detyruan”, del se as 1 në 3 socialistë nuk u bë pjesë e kësaj farse. 1 në 3 familje nuk mbyll dot muajin, me shpenzimet për ushqimet bazë. Papunësia ka arritur në shifra rekord dhe kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Shqiptarët po varfërohen sepse po grabiten.
Shqipëria po plaçkitet dhe po shkatërrohet nga Edi Rama me një grusht biznesmenësh grabitqarë që ndajnë paratë dhe pasuritë me njëri tjetrin. E gjithë ekonomia dhe pasuritë e vendit janë në duart e këtyre pak njerëzve përreth Edi Ramës. Janë një grusht njerëzish të pamëshirshëm, biznesmenë parazitarë dhe grabitqarë, që nuk prodhojnë, nuk krijojnë nuk punësojnë por vetëm vjedhin dhe grabisin mundin, djersën, pronat e shqiptarëve në bashkëpunim me Edi Ramën. Edi Rama dhe këta oligarkë grabitqarë nuk bëjnë asgjë për njerëzit e thjeshtë: ata vetëm vjedhin me koncesione, me PPP, me tendera, me leje ndërtimi, me ligje special dhe me çdo mënyrë që munden. Ata nuk lejojnë asnjeri tjetër të krijojë, të konkurojë, të ndërtojë, të provojë“.
Lulzim Basha theksoi se refuzimi i Edi Ramës nuk do të kishte këto përmasa pa vendimet kurajoze të opozitës për përballje dhe djegien e mandateve, vendime që sipas tij vranë frikën dhe zgjuan shpresën tek qytetarët. “30 qershori është refuzim i Edi Ramës, është thirrje për ndryshim. Kjo thirrje i drejtohet para së gjithash Partisë Demokratike. PD ka përgjegjësinë t’i njohë shqiptarët, pa u lodhur, çdo ditë, me vizionin dhe programin e PD. Refuzimi kombëtar i 30 qershorit është një përgjegjësi e madhe për ne, për ta kthyer këtë bashkim popullor në energjinë e ndryshimit politik dhe ekonomik që kërkon çdo shqiptar” theksoi lideri i opozitës në takimin me strukturat drejtuese të PD në Kurbin./l.m