Finlanda është pro hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në muajin tetor të këtij viti.
Kryeministri Anti Rine tha pas prezantimit të programit të presidencës finlandeze të Bashkimit Europian nëse dy vendet i plotësojnë kushtet, atëherë negociatat me këto dy vende do të çelen.
Kryeministri i Finlandës, Antti Rinne, vendi i të cilit merr presidencën e Bashkimit Europian për gjashtë muaj ka deklaruar se shpreson të hapë negociatat e anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetor, nëse të dyja vendet përmbushin kushtet. Këtë deklaratë kryeministri i Finlandës e ka bërë në një konferencë për shtyp pas prezantimit të programit të presidencës finlandeze të Bashkimit Evropian në seancën plenarë të Parlamentin Evropian në Strasbourg.
Në këtë konferencë, Antti Rinne ka bërë të kuptohet, se edhe pse procesi i zgjerimit vazhdon normalisht, ai nuk përbën një urgjencë për presidencën finlandeze dhe Bashkimin Evropian, që ka në fokus çështje thelbësore që shqetësojnë të gjithë qytetarët evropianë, si ndryshimet klimaterike dhe ekonomia evropiane.
Antti Rinne, Kryeministër i Finlandës: “Në tetor ne do diskutojmë lidhur me procesin e zgjerimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shpresoj, që nëse këto dy vende përmbushin kushtet, atëherë të vendosim për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE me të dyja vendet.
Por çështja e madhe për ne është se Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjet çështjeve që qytetarët evropianë konsiderojnë si të rëndësishme, që kanë të bëjnë me ndryshimet klimaterike. Finlanda dhe Gjermania janë shumë të angazhuara për këtë, por kjo është një çështje ku ne të gjithë si shtete anëtare mund të bëjmë më shumë. Ndaj kjo çështje renditet në prioritetet e programit tonë”.
Prioritetet e presidencës finlandeze, që kryeson Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit të 2019 ka të bëjnë me forcimin e pozicionit të Bashkimit Evropian si lider global për masat kundrejt ndryshimeve klimaterike, forcimin e vlerave të përbashkëta dhe shtetit ligjor të kësaj organizate, ta bëjë Bashkimin Evropian më konkurrues dhe gjithëpërfshirës në aspektin social, si edhe të forcojë sigurinë e qytetarëve të Bashkimit Europian. (ABC News)/l.m