Edhe fjalimi i famshëm i Martin Luter Kingut; “Unë kam një ëndërr”, po në një ditë vere është mbajtur. Këtu e 56 vite më parë, më 28 gusht 1963 në Uashington.
Ndryshe nga “ëndrrat” më të famshme të njerëzimit, këto të Ilir Metës tregohen në një mënyrë aq intersante, sa kanë filluar që të gajasin gjithë shqiptarët.
Ëndrra më e fundit që Ilir Meta kishte parë mbrëmë dhe që na e tregoi sot në mëngjes, ishte:
“…t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor.”
Ose e thënë ndryshe, Ilir Meta ka parë një ëndërr vere, që më 13 tetor të zhvillohen njëkohësisht edhe zgjedhjet lokale, edhe zgjedhjet parlamentare, edhe zgjedhjet për Presidentin e Republikës!
Kur të zgjohet nga gjumi, dikush duhet ti thotë Ilir Metës se:
Zgjedhjet e përgjithshme lokale u zhvilluan më 30 Qershor.
Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në qershorin e 2021.
Ndërsa Presidenti i një Republike Parlamentare siç është Shqipëria zgjidhet me votën e shumicës së deputetëve të Kuvendit, sipas procedurave të përcaktuara nga nenet 87 dhe 88 të Kushtetutës. Pra, jo me votim popullor.
Ose ka një rrugë për ta realizuar këtë:
“Ilir Meta të iki nga zyra e Kreut të Shtetit, të rikthehet në krye të LSI. Të rifutet në sistemin politik të vendit. Të garojë në zgjedhjet e reja parlamentare. Të fitojë dhe të ndryshojë Kushtetutën…”
Ik kali… Ik kali, ik, ik…
Çohu Like! Çohu nga gjumi se u ngrit dielli tre hostenë në kupë të qeillit… Pas 30 vjetësh të gjithë shqiptarët janë çuar nga gjumi e të japin ujë në bisht të lugës. Ndaj, askush nuk u beson më, komedive të reja me përralla të një nate vere! (Alpenews)/l.m