“Dekreti i Presidentit të Republikës për 13 tetorin nuk jep efekte dhe nuk mund të zbatohet dhe çdo vendimmarrje nuk mund të bëhet e njëanshme, por duhet të vijë sipas një dialogu në interesin e vendit”, deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.
I ftuar në një studio televizive, Hyseni shprehu bindjen se opozita do të hyjë në dialog pa kushte. “E vetmja gjë që na kornizon është Kushtetuta dhe interesi i Shqipërisë. Mbi këto do të dialogohet për të mirën e vendit të gjejmë gjuhën si shqiptarë. Jam i bindur se do të gjendet një akord i përbashkët në këtë rrugëtim që sa vjen e bëhet edhe më i vështirë, integrimi në BE, prandaj na duhet të gjejmë gjuhën me njëri-tjetrin”, tha Hyseni.
Ai theksoi se “Basha duhet t’i thërrasë arsyes pasi nuk mund të vërë kushte që nuk janë në dorën e tij”. “Rama ka pasur mbështetje masive popullore që u rikonfirmua në 30 qershor”, tha ai.
Lidhur me punën e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit, Hyseni tha se “komisioni ka mandat maksimal deri në 3 muaj”. “Kemi filluar veprimet e para, komisioni ka ndërtuar axhendën e vetë paraprake të hetimit, rregulloren përkatëse për të pasur një axhendë shumë strikte të veprimtarisë së tij. Në shtator do të sjellë përfundimet”, tha ai.
/a.r