Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ADISA, çeli sot zyrën me një ndalesë pranë Bashkisë Librazhd.
Zyra me një ndalesë pranë ambientit të Bashkisë është e katërta i këtij lloji pas asaj në Maliq, Belsh dhe Patos, ku sportelet ADISA të shërbimeve publike qendore bashkëvendosen në qendrën me një ndalesë të bashkisë.
Tashmë, në 11 sportelet e reja, ADISA do të ofrojë mbi 300 shërbime publike qëndrore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Postës Shqiptare.
Po në të njëjtën qendër, do të ofrohen disa nga shërbimet më të kërkuara të bashkisë siç janë shërbimet e urbanistikës, bujqësisë, taksave vendore apo ujësjellës-kanalizimeve.
Për më tepër, qytetarët e Librazhdit do të mund të asistohen në marrjen e shërbimeve elektronike përmes portalit qeveritar e-albania dhe në portalin Shqipëriaqëduam.al si dhe do të marrin informacion për më shumë se 950 shërbime publike.
Gjithashtu, zyra e përbashkët ADISA – Bashkia Librazhd, do t’ju shërbejë edhe qytetarëve të Prrenjas-it, duke u kursyer kohë dhe shpenzime për të shkuar deri në qytetin e Elbasanit duke eliminuar kështu 51 km rrugë vajtje ardhje.
Ky investim u mbështet nga partnerët strategjikë të qeverisë shqiptare në modernizimin e shërbimeve publike dhe më konkretisht nga qeveria Austriake, qeveria Italiane dhe nga UNDP-ja.
Pas inagurimit të Zyrës me një ndalesë në Bashkinë e Librazhdit, brenda muajit Korrik 2019 do të vijohet me hapjen e Qendrës së Integruar ADISA në Kombinat si dhe Zyrës me një ndalesë ADISA në Bashkinë e Divjakës.