Një ditë pas shpalljes së kompanisë Noa Control, si fituese të koncesionit për kontrollin e sasisë së naftës në pikat e karburanteve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë në një reagim për mediat se nuk do të ketë ndryshim të tarifave që karburantet paguajnë sot për këtë shërbim. Aktualisht ky shërbim i kolaudimit të pompave të karburanteve kushton 7 mijë lekë.
“Koncensionari do të aplikojë të njëjtën tarifë që është e aplikueshme aktualisht në përputhje me legjislacionin për Metrologjinë dhe që edhe në të ardhmen nuk do të ketë asnjë kosto shtesë gjatë gjithë periudhës së koncensionit. Pra, nuk do të ketë rritje çmimi.”
Ministria thotë po ashtu se shërbimi që do të kalojë te private do të jetë i monitoruar në kohë reale, ndërsa draft-kontrata i jep të drejtë autoritetit kontraktor që të ndërpresë kontratën me kompaninë në momentin që konstatohen shkelje.
“Referuar dispozitave të draftkontratës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në rolin e autoritetit kontraktues rezervon të drejtën për prishjen e menjëhershme dhe pa pasoja të kontratës në rast të konstatimit të shkeljeve nga koncesionari gjatë kryerjes së shërbimit.”
Sa i përket çështjes që Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i ka konsideruar si diskriminuese kriteret e tenderit për këtë koncesion duke kërkuar ribërjen e tij, Ministria e Financave sqaron se çështja tashmë ndodhet në Shkallën e Apelit dhe se ai vendim do të konsiderohet si formës së prerë. Vendimi i kësaj Shkalle, thotë Ministria, do të zbatohet rigorozisht.
/a.r