Një ish-punonjës i një banke të nivelit të dytë, i dënuar me 10 vite burg, ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës. Finalizimi i operacionit policor të koduar “Transaksioni” arrestoi Olsi Boriçin, banues në Shkodër.
Kapja e tij u bë në një banesë në lagjen “Skënderbeg”. Gjykata e Apelit Shkodër në vitin 2017 e ka dënuar me vendim të formës së prerë me 10 vite burg, për veprën penale “Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit” .
“Ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër, duke qenë punonjës të një banke të nivelit të dytë kanë kryer disa transaksione në shuma të konsiderueshme parash pa miratimin e klientëve të kësaj banke dhe duke falsifikuar nënshkrimet e tyre kanë përfituar në mënyrë të paligjshme 28.000.000 lekë (të reja), këto veprime janë kryer në data të ndryshme të muajit shtator të vitit 2009”.
Personi do i dorëzohet shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme.
g.kosovari