Nga Paul Taylor*
Duke kërcënuar se do të bllokohen zgjedhjen e udhëheqësve të BE për shefin e Komisionit, deputetët e Parlamentit Europian po dëmtojnë atë që pretendojnë ta mbrojnë.
Problemi i tyre: dështimi i udhëheqësve të BE për të emëruar politikanin bavarez Manfred Weber, ose një tjetër të ashtuquajtur Spitzenkandidat, si president të Komisionit Europian.
Disa në Parlamentin Europian janë aq të indinjuar, saqë po kërcënojnë të bllokojnë zgjedhjet javën e ardhshme të Ursula von der Leyen, ministres gjermane të Mbrojtjes së qendrës së djathtë, e cila u shfaq si kandidate e liderëve të BE për të drejtuar ekzekutivin europian.
Një veprim i tillë do të ishte një gjest i papjekur nga një Parlament i adoleshentëve, që duket se kujdeset më shumë për të shtriqur muskujt, sesa për ta përdorur trurin për të menduar se çfarë dëshiron të jetë kur të rritet.
Sigurisht, emri i von der Leyen nuk ishte në fletëvotim.
Por as Weber nuk ishte në 27 nga 28 vendet që votuan në zgjedhjet e majit.
Europa është një demokraci hibride – një bashkim i shteteve dhe popujve.
Parlamenti dhe udhëheqësit e shteteve anëtare kanë legjitimitet demokratik, prandaj traktati parashikon që Këshilli EUropian të propozojë me shumicë të kualifikuar një kandidat për shefin e Komisionit “duke marrë parasysh” rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Europian.
I propozuari ka nevojë për një shumicë absolute në Parlament për t’u emëruar.
Parlamenti arriti të diktonte zgjedhjen e Këshillit në vitin 2014, duke themeluar sistemin Spitzenkandidat – një konventë që kandidati kryesor i grupit që fiton shumicën e vendeve në legjislaturë, duhet të jetë automatikisht zgjedhja e parë për presidentin e Komisionit.
Është një sistem që nuk ka bazë ligjore në traktatet e BE.
Përplasja mbi Von Der Leyen nuk ka të bëjë me dritën e pastër të demokracisë, përkundër një thashethemi politik të fshehtë, siç është portretizuar veçanërisht në median gjermane.
Është ndoshta më shumë rezultat i dështimit të pushtetit nga ndarja në dy “familjet politike” të mëdha europiane, të cilët janë të mërzitur për shkak se nuk mund ta finalizonin vullnetin e tyre nëpërmjet Këshillit Europian.
Faji i vërtetë qëndron tek Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë, e cila ngriti Weberin, udhëheqësin e saj pa përvojë qeveritare, si kandidatin kryesor të saj.
Kjo ishte një zgjedhje e pafytyrë, aq sa Weber nuk ishte në gjendje të siguronte shumicën në Parlament pas kandidaturës së tij – pavarësisht nga nxitja institucionale.
Beteja e panjohur
Para zgjedhjeve, anëtarët e EPP-së kishin hedhur poshtë propozimet franceze me kandidatët kryesorë të secilit grup politik për të kryesuar listat transnacionale, të cilat do t’u jepnin atyre një pretendim më të fortë për legjitimitetin popullor pan-europian.
Kjo nënkuptonte se Weber ishte vetëm në fletën e votimit në Gjermaninë e tij të lindjes.
Njohja e emrit të tij jashtë botës gjermanofolëse është minimale.
PPE i pengoi listat transnacionale jo për hir të demokracisë, por për të mbajtur pushtetin në duart e partive kryesore që drejtojnë Parlamentin dhe e bëjnë më të vështirë që presidenti francez Emmanuel Macron të ketë një bazë mbështetëse të BE-së.
Pastaj, pas numërimit të votive, ishte e qartë se Weber kishte dështuar, shumica e partisë u përplas me krerët nacionalistë qendrorë europianë kundër kancelares gjermane Angela Merkel, për të penguar emërimin e një Spitzenkandidati tjetër: holandezi Frans Timmermans i socialistëve europianë, të cilët mund të siguronin shumicën me ndihmën e eurodeputëve liberalë, të gjelbër dhe madje edhe të majtë.
Ishte këmbëngulja e PPE-së për të mbajtur sistemin e Komisionit të lartë, e cila është mbajtur për 15 vjet, që çoi në kërkimin e një figure të qendrës së djathtë më të kualifikuar sesa Weber.
Të ballafaquar me ngërçin në Parlament dhe me ngërçin midis 28 krerëve të BE-së, Macron dhe Merkel përfunduan një marrëveshje me presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, mbi një propozim të ri.
Krahas von der Leyen është drejtori menaxhues i FMN-së francez, Christine Lagarde, për kryesimin e Bankës Qendrore Evropiane, kryeministri belg që po largohet, Charles Michel, për Këshillin Evropian dhe ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borrell, si përfaqësues i lartë i politikës së jashtme.
Ironikisht, kundërshtimet më të forta për këtë marrëveshje vijnë nga Gjermania.
Socialdemokratët e vendit (SPD), partnerët e rinj në qeveri me kristiandemokratët e von der Leyen, po udhëheqin korin e eurodeputetëve të pakënaqur, që kërcënojnë të mohojnë konfirmimin e saj parlamentar.
Kjo ka të bëjë gjithnjë me politikën e brendshme dhe me gjendjen e dëshpëruar të SPD-së pa udhëheqës – dhe nuk ka të bëjë fare me demokracinë në Europë.
Pavarësisht nga mangësitë e saj si ministre e Mbrojtjes, von der Leyen është një pro-europiane e angazhuar, me përvojë të gjatë në drejtimin e ministrive.
Pra, pse kaq shumë ligjvënës mendojnë të rebelohen kundër emërimit të saj?
Për disa, arsyet janë ideologjike – nacionalistët e urrejnë federalizmin e saj europian, të Gjelbrit nuk gjejnë prova në historinë e saj të shqetësimit për ndryshimet klimatike apo mjedisin.
Por për shumë njerëz, kjo është vetëm për të pohuar fuqinë e Parlamentit për të rrëmbyer procesin e emërimit, pavarësisht nga traktati.
Parlamenti ishte në gjendje ta bënte atë herën e fundit për shkak të një marrëveshjeje (të pasme) të arritur midis PPE dhe socialistëve, partisë më të madhe të institucionit.
Nëse “Rregulli Një” i të gjitha parlamenteve është të kenë sa më shumë pushtet të jetë e mundur nga ekzekutivi, rregulli i dytë nuk është kurrë ta lirojnë atë sapo ta kenë siguruar.
Rregulli i tretë është se nëse duhet të rikthehen, të sigurohen që të marrin një fuqi tjetër në kompensim.
Kjo mund të jetë axhenda e vërtetë pas kërcënimit të vonesës së von Leyen.
Ka kompetenca të tjera që Parlamenti Europian i dëshiron, por nuk i ka sipas traktatit.
Asnjëra nga këto prerogativa nuk mund të sigurohet pa ndryshuar traktatin e BE.
Dhe, duke pasur parasysh rrezikun e lartë të disfavoreve të referendumit, ka pak oreks mes qeverive kombëtare për ndryshimin e traktateve.
Por von Leyen mund të ndërmarrë një angazhim politik që Komisioni të propozojë legjislacionin për çdo çështje të politikës brenda kompetencës ligjore, nëse shumica e ligjvënësve e kërkojnë atë.
Kjo do të shkonte përtej një dispozite ekzistuese të traktatit – Neni 225 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian, – që thotë se Komisioni mund të pajtohet, ose të refuzojë të paraqesë propozimin e kërkuar.
Disa qeveri kombëtare nuk do ta donin trupën joformale të ministrave të financave që menaxhon eurozonën, edhe pse në mënyrë efektive kanë siguruar fuqi të ngjashme përmes Eurogrupit.
Dhe meqenëse ata do të mbanin veton si bashkë-ligjvënës, nuk do të ishin në pozitën e duhur për të kundërshtuar.
Do të ishte një përparim modest për demokracinë hibride të Europës, dhe një shenjë se duke vepruar me maturi, Parlamenti mund të shtrijë ndikimin e tij.
*Politico.eu-Përshtati në shqip për TemA: Diona Çeço
*-*
Si do të jetë fati i Xhezair Zaganjorit?
Komisioneri Publik i konsideroi “pa asnjë risi” provat e reja të paraqitura nga kreu i Gjykatës së Lartë, ndërkohë që Zaganjori i quajti përfundimet e tij si “absurde dhe të papranueshme”. Procesi shkon drejt konkluzioneve përfundimtare.
Nga Edmond Hoxhaj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, vendosi të mërkurën të marrë në shqyrtim provat dhe aktet e reja të paraqitura gjatë dy seancave nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe më pas vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, duke u kërkuar palëve të përgatisin konkluzionet përfundimtare.
Procesi i vetingut për kreun e Gjykatës së Lartë po shqyrtohet në Kolegj nga trupa e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Luan Daci, Natasha Mulaj dhe Sokol Çomo.
Zaganjori, një ish-diplomat u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2003 dhe anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2013. Ai arriti me vështirësi të konfirmohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të vitit 2018 pasi komisioni gjykoi se ai ka kryer “evazion fiskal të ligjshëm”, një vendim i debatuar që u rekomandua për ankimim nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Pas dorëzimit të provave të reja të mërkurën, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa deklaroi se ato nuk kanë ndryshuar asnjë rrethanë sa i takon shkaqeve të ankimimit. “Edhe pas prapësimeve, shkaqet e ankimit të lidhura me interpretimet ligjore të përdorura nga KPK në vendimin e konfirmimit të gjyqtarit Xhezair Zaganjori mbeten për t’u shqyrtuar nga kjo trupë gjykuese,” tha Komisioneri.
Ballhysa përsëriti se lidhur me katër pasuritë e patundshme në Tiranë, shkaku i ankimimit lidhet me deklarimin e pasaktë dhe të pamjaftueshëm, ndërsa sipas tij, kontrata noteriale e katër bashkëpronarëve se kanë kryer investime të njëjta nuk sjell ndonje risi apo fakt të ri juridik.
Komisioneri Publik u ndal edhe te mungesa e dokumente për pagesën e detyrimeve tatimore lidhur me përfitimin e të ardhurave nga qiraja prej vitit 1997 si edhe dhe për kalimin e pronës nga M.H. tek bashkëshortët Zaganjori. “Deklaratat se qiraja para vitit 1999 përdorej për investime dhe kompesimin e bashkëpronarëve për punimet që ata kishin kryer, nuk sjellin risi apo prova,” argumentoi Ballhysa. Ai theksoi se duhet mbajtur parasysh edhe fakti se asnjë prej administratorëve të godinës nuk kishte pronësi të tokës dhe se vetëm në vitin 2001, Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave u ka kthyer truallin.
Ballhysa shtoi gjithashtu se kontrata me KESH për furnizimin me energjinë elektrike është e paraqitur edhe më herët nga gjyqtari Zaganjori dhe se nuk përbënte një gjë të re.
“Pretendimet e subjektit mbeten në nivel deklarativ, ndërsa fotot e paraqitura për objektin nuk provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit,” shtoi ai.
Sipas Komisionerit Publik, kreu i Gjykatës së Lartë nuk ka arritur të provojë se ka mundur të kursejë 2.6 milionë lekë nga një bursë në Gjermani dhe as mënyrën e dërgimit të parave në Shqipëri.
“Megjithëse dokumentacioi për bursën është me vulë apostile, mbetet e paprovuar vlera e kursimit 2.6 milionë lekë,” tha Komisioneri, duke shtuar se provat e paraqitura mbeten në nivel deklarativ dhe pa dokumentacion provues.
Komisioneri Ballhysa bëri më tej një analizë të të ardhurave të Zaganjorit dhe bashkëshortes së tij deri në vitin 1997 dhe ngriti dyshime se niveli i kursimeve në masën 67% të të ardhurave rezulton të jetë i lartë.
Në analizën e provave të reja të paraqitura, Komisioneri theksoi edhe atë që e quajti moskorrespondim të dokumentacionit për blerjen e një apartamenti në Durrës në vitin 2006. Ballhysa i konsideroi të ligjshme të ardhurat nga paga të bashkëshortes së Zaganjorit në vlerën e 16 mijë dollarëve, por shtoi se nuk është provuar që ato të jenë përdorur për kryerjen e pagesës pasi nuk janë tërhequr, duke e konsideruar këtë fakt si deklarim të pasaktë të subjektit.
Po ashtu, Ballhysa pretendoi se Zaganjori nuk ka dorëzuar asnjë provë të re për të justifikuar shpenzimet e shkollimit të djemve në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani, për të cilat konstatoi edhe mungesë burimesh të ligjshme.
“Për periudhën 2011-2014, nuk mbulohen me burime të ligjshme, as kursimet dhe as shpenzimet e kryera”, pohoi Ballhysa.
Zaganjori kërkon interpretim të nenit D
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori renditi provat e reja të dorëzuara para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit; një kontratë noteriale për shitjen e një banese në vitin 1999, një dokument tjetër kthim-përgjigje e njësisë së Kadastrës, dy certifikatat e vdekjes së prindërve; dy mandate pagese të viteve ’97 dhe ‘98 të kryer nga qiramarrësi British Council si dhe një akt ekspertimi financiar privat për gjithë pagesat me British Council dhe pagesat e tatimeve.
Megjithatë, ai i kërkoi Kolegjit të interpretojë legjislacionin, pasi sipas tij vetëm zbërthimi i kontekstit mund të zbulojë qëllimin e ligjit. Zaganjori i cilësoi pretendimet e Komisionerit për pasurinë e tij si të paligjshme në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe me të drejtat e njeriut duke u ndalur në veçanti në intepretimin e nenit D, Pika 3 e Kushtetuës.
“Shkurtimisht për nenin D, unë thashë shumë argumente, që u prek edhe sot nga Komisioneri Publik. Më duken se përfundimet e Komisionerit janë absurde dhe të papranueshme. Këto qëndrime bien në kundërshtim me shtetin e së drejtës, të drejtën e pronës, të drejtat e njeriut,” tha kreu i Gjykatës së Lartë.
Ai argumentoi se nuk duhet ndalur në një vlerësim simplist të nenit D të Kushtetutës, që sipas tij duhet parë më gjerë.
“Dua të theksoj, jo se unë përpiqem të justifikoj mospagimin e tatimeve, në asnjë mënyrë, sepse jam i bindur që detyrimet ndaj shtetit i kam paguar deri më një, por unë me bindje të plotë, në çdo moment, unë e familja ime kemi respektuar ligjin dhe kemi paguar detyrimet. Unë mendoj dhe theksoj edhe njëherë se zbërthimi i nenit D, do jetë i vlefshëm për një gjykim të drejtë dhe kushtetues,” tha Zaganjori, duke shtuar se faktet e paraqitura prej tij provojnë se ai ka hyrë në atë shtëpi që në vitin 1997, kur është ndërtuar pallati.
Ai shtoi se ishte pyetur për dy vjet me radhë pasi u gjet një emër i përafërt për pagesën e energjisë në Shkodër, duke ngritur dyshime mos kishte pasur pasuri në atë qytet, ndërsa tani nuk po merrej parasysh kontrata e energjisë për apartamentin e ndërtuar në vitin 1997.
“Kjo është e vërteta reale dhe jo ajo formale. Nuk bëhet fjalë për trashëgimtarë të ndarë, por anëtarë në të një pjese të familjes që janë lindur e rritur aty. Çdo veprim, nga kthimi i tokës, tek ndërtimi dhe lidhja e kontratës së qirasë me British Council është kryer nga M.H. për gjithë sipërfaqen,” vazhdoi ai.
Ai theksoi se shtëpia në fjalë ka qenë një pronë historike e katër familjeve. “Toka ka qenë e tyre prej më shumë se 200 vitesh. Vetëm kur u shemb banesa në vitet ‘81-‘92 nuk kanë jetuar aty. Si mund të merrej me qira nga British Council, nëse nuk do të kishte qenë e regjistruar kjo banesë. Vlerat janë të sakta, por intepretimet nuk janë të sakta,”shtoi më tej kryegjyqtari.
Lidhur me paratë e përfituara nga bursa, ai shpjegoi se ato mund t’i kishte sjellë ai vetë në Shqipëri, pasi asokohe nuk funksiononte sistemi bankar. Paratë sipas Zaganjorit i ishin dhënë bashkëpronarëve në cilësinë e kontributit për pjesën e tij.
Për apartamentin e blerë në Durrës, Zaganjori tha se figuronte të ishin kryer dy derdhje, një në vlerën 16 mijë dollarë dhe një 15 mijë. “Mund të ketë mospërputhje, por kjo vjen nga banka,” shtoi ai. “Të ardhurat e viteve 2005-2006 e kalojnë mundësinë për blerjen e apartamentit dhe kursimeve 3 milionë lekë, pasi shpenzimi i vetëm ka qenë blerja e apartamentit,” shtoi më tej.
Zaganjori pranoi se kishte mospërputhje lidhur me shpenzimet për studimet e djalit në Britaninë e Madhe, por i justifikoi ato me mungesën e metodologjisë. “Për djalin tjetër në Gjermani i kam deklaruar të gjitha, për qiranë e banesës dhe tarifën. Çfarë duhet të jap tjetër? I kam dërguar rreth 20 mijë euro se duhej të merrte vizën dhe nuk ka ndonjë problem nëse i kam dërguar 9 apo 20 mijë euro,” tha Zaganjori.
Kreu i Gjykatës së Lartë këmbënguli se të ardhurat për vitet 2010-2014 ishin dukshëm më të larta se shpenzimet si dhe kërkoi që të mos konsideroheshin provë vetëm dokumentet zyrtare, por edhe akte dhe rrethana të tjera.
Pasi gjyqtari Zaganjori përfundoi parashtrimet e tij, kryesuesja e trupës gjykuese të KPA-së pyeti Komisionerin Ballhysa nëse kishte pretendim në këndvështrimin formal lidhur me provat. Ai u përgjigj se nuk kishte ndonjë pretendim.
Megjithatë, Ballhysa dha disa konsiderata në lidhje me provat.
“Për kontratën e shitjes së apartamentit në vitin 1999 nuk kam pretendime, por në kartelën e hipotekës edhe sot vazhdonte të jetë në emër të subjektit. Nga faturat e pagesës së qirasë provohet se nuk janë shlyer tatimet,” tha Ballhysa, duke shtuar më tej se bankat në Shqipëri ekzistonin që nga 1996. Një akt ekspertimi i paraqitur nga subjekti u konsiderua gjithashtu prej tij i panevojshëm.
Trupa gjykuese u tërhoq për vendim dhe pas kthimit në sallë deklaroi se do të merrte si prova të gjitha aktet e reja të dorëzuara më 25 qershor dhe 10 korrik. Të pyetur nga kryesuesja e trupës gjykuese, Albana Shtylla, si Ballhysa ashtu edhe Zaganjori thanë se u qëndonin deklarimeve të mëparshme.
Në këto kushte, trupa gjyqësore vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u kërkoi palëve që të përgatisnin konkluzionet përfundimtare për seancën e caktuar më 17 korrik, ora 14:00