Portrete, trupa, elementë grafikë, shkronja, hiper-realizmi në skaj të fotografisë. MuralFest, për vitin e dytë, e ka transformuar Tiranën në një muze të hapur. Shumë artistë erdhën nga e gjithë bota për të pikturuar muret e qytetit. Ndër veprat, ato që spikasnin janë portretet njerëzore dhe pjesëza nga kultura pop, mjedisi urban dhe natyra. 18 artistë të artit mural të ardhur nga Italia, Argjentina, Spanja, Polonia, Rumania, Greqia, Anglia, SHBA etj., me pikturat e tyre, sollën në muret e Kryeqytetit bashkëveprimin mes ideve të pjesëmarrësve dhe komunitetit.
Ky aktivitet u mbajt falë bashkëpunimit të Dekor Tirana dhe laboratorit te artit urban 167B/street te Leçes, Itali me mbështetjen e Drejtorisë të Punëtorëve nr 3 – Bashkia Tiranë, Ambasadës të Rumanisë, Institutit Italian të Kulturës dhe Aleancës Franceze.
Për organizatorët e Festivalit, qëllimi i këtij aktiviteti është t’i japë vazhdimësi imazheve që shprehin vlerat njerëzore, shoqërore duke respektuar identitetin multikulturor. MurAL Fest Tirana është një kontribut unik, i cili do t’i japë qytetit një nxitje për transformimin e Tiranës në kryeqytetin e artit dhe kulturës, një urë tregimesh të reja vizuale në Ballkan, si dhe bashkëpunime të pandërprera. Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe reinventuar në një përzierje të gjuhëve në një mënyrë për të krijuar identitetin dhe ridizajnimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re.
g.kosovari