Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën vendimin për shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli. Treshja gjykuese e KPK-së e përbërë nga Etleda Çiftja kryesuese, Roland Ilia Relator dhe Olsi Komici anëtar, kanë vendosur në unanimitet shkarkimin e prokurorit Agolli i cili u vlerësua në të tri kriteret.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten më datë 4 korrik 2019, KPK i vuri në dukje Agollit problemet e gjetura sa i përket pasurisë së tij të vetme; një apartament 68.5 metra i blerë në vitin 2007 në Gjirokastër. Sipas KPK-së për këtë pasuri ishin përdorur dy hua dhe se për të parën në vlerë 3 milionë lekë nuk ishte deklaruar dhe nuk kishte për të informacion provues. Agolli i kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket pasurisë dhe shpjegoi mënyrën se si ishin kryer transaksionet, por ai pranoi se nuk e kishte deklaruar dhe se nuk kishte dokumentacion provues për huanë e parë.
Ndërkohë, KPK rrëzoi raportin e dytë të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK ku prokurori Agolli cilësohej si i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën. Gjatë seancës dëgjimore, relatori Ilia vuri në dukje se kishte pasur dy raporte nga DSIK. Raporti i parë ishte pozitiv, por në të dytin të lëshuar në pranverë të këtij viti, DSIK e vlerësonte “të papërshtatshëm” prokurorin Agolli. Relatori Roland Ilia theksoi se nga hetimet e KPK-së, ky raport i dytë ishte gjetur i pambështetur në prova. Ndërkohë, Komisioni ngriti pikëpyetje mbi kriterin e profesionalizimit lidhur me disa vendime pushimi dhe mosnjoftim të palëve.
Alfred Agolli e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998 dhe ka ushtruar funksionin fillimisht në prokuroritë e Gjirokastrës. Në vitin 2008, Agolli është emëruar drejtues i Prokurorisë së Sarandës ndërsa në vitin 2013 është promovuar drejtues i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës./l.m