Kryetari i Grupit Parlamentar, njëkohësisht dhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasnit, Taulant Balla vijoi analizën postzgjedhore me Asamblenë e PS në Elbasan. Në fjalën e tij Balla shprehu mirënjohjen e tij për rezultatet e arritura, duke mos harruar as detyrat që secila strukturë ka në vijim.
Sipas Ballës, tashmë detyra kryesore i takon kryetarit të ri të bashkisë, Gledian Llatja të vijojë punën me projektet e lëna gati nga Qazim Sejdini, por mbi të gjitha duke u fokusuar tek zonat rurale.
“Elbasani dhe gjithë Shqipëria pas 30 Qershorit kanë garantuar se nuk do të ketë më parti politike që do të bojkotojnë zgjedhjet, nuk do të ketë më parti politike që do të bojkotojnë parlamentin dhe do të djegin mandatet dhe kjo tashmë është e sigurt.
Po ashtu është e rëndësishme që çdo qytetari ju garantua e drejta për të votuar, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Ajo që na bashkon sot është dëshira për të punuar, dëshira për të mbështetur Gledin në këtë sipërmarrje të vështirë, në një bashki, ndër më të mëdhatë në vend, jo vetëm nga popullësia, por edhe nga problematikat; jo vetëm nga sipërfaqja, por edhe nga nevoja për të vijuar transformimet që kemi bërë në nivel qyteti, për t’i çuar ato në çdo cep.
Ky katër vjeçar do të ketë në fokus të vet rrethinat, më së shumti zonat e thella për të cilat kemi shumë detyrime dhe deri tani nuk kemi pasur mundësi të bëjmë sa duhet. Por një gjë është e sigurt, ne jemi modeli më i mirë i qeverisjes vendore dhe qëndrore.
Dua ta falenderoj Qazim Sejdini për mbylljen me sukses të plotë të 12 viteve në krye të Bashkisë Elbasan. Janë plot punë të evidentuara dhe janë një bazë e shëndoshë për punën që do të bëjë Gledi, por edhe një bazë e shëndoshë për fitoren tonë në 2021.”, deklaroi Balla. Gjithashtu, numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi dhe analizën e zgjedhjeve në Bashkinë e Peqinit dhe të Prrenjasit, ku edhe në këto bashki u vendosën në dukje rezultatet shumë herë më të mira se viti 2017, duke forcuar ndjeshëm bazat e Partisë Socialiste në çdo bashki.