Greqia sot voton për zgjedhjet parlamentare në vend. Mediat greke raportojnë se kutitë e votimit janë hapur në 21.478 qendra dhe 9.9 milionë grekë do të zgjedhin deputetë nga 20 parti dhe forca politike të cilat sfidojnë njëra tjetrën në këtë garë. Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë mbi 150, 000 emigrantë shqiptarë dhe minoritarë grekë që kanë marrë nënshtetësinë.
Ajo që vihet re është fakti se ndryshe nga zgjedhjet bashkiake para një muaji, kandidatët shqiptarë dhe ato nga radhët e minoritetit janë të paktë në numër.
Kjo fushatë nuk ka kaluar pa kritika nga radhët e analistëve, të cilët në tërësi e kanë cilësuar si një fushatë të mërzitshme, pavarësisht fakti se grekët për herë të parë do të votojnë një qeveri, e cila nuk do të jetë e ndërvarur nga programet e ndihmave financiare.
Në garë janë dy emigrantë shqiptarë, përkatësisht Fatos Malaj dhe Eda Gemi, të cilët jetojnë në vendin fqinj prej vitesh.
Të dy kandidatët shqiptarë garojnë në kryeqytetin grek, Athinë. Malaj ka avantazhin të jetë kandidat në zonën A të Athinës, e mbipopulluar historikisht nga emigrantët shqiptarë, ndërsa Eda Gemi në zonën perëndimore të kryeqytetit grek.
Gemi ishte gjithashtu kandidate në zgjedhjet europiane për eurodeputete, por nuk ja doli.
Ndërkohë, në këto zgjedhje parlamentare në Greqi kanë të drejtë vote mbi 150 000 emigrantë shqiptarë dhe minoritarë grekë, që kanë marrë nënshtetësinë, ndaj dhe nuk përjashtohet mundësia që dy kandidatët shqiptarë të marrin mandat për t’u futur në Parlamentin grek. (BW)