Policia nderhyn ne kohen e duhur. Një fatorino i autobusit të linjës Kinostudio-Kombinat është dhunuar nga dy të rinj. Policia sqaron se ngjarja ka ndodhur në rrugën e “Dibrës”, pas një konflikti të çastit mes të rinjve dhe fatorinos.
Policia ka ndërhyrë në kohë, duke parandaluar përshkallëzimin e sherrit, ndërsa ka arrestuar dy shtetasit A. T., 24 vjeç, dhe F. K., 20 vjeç, të cilët kanë kundërshtuar edhe efektivët.
Njoftimi i policisë:
Punonjësit e Policisë rrugore ndërhyjnë për të parandaluar një konflikt në një autobus të linjës Kinostudio-Kombinat.
Gjatë ndërhyrjes , punonjësit e policisë rrugore janë kundërshtuar me dhunë nga dy shtetasit që po dhunonin fatorinon e autobusit, por neutralizohen dhe vihen në pranga.
Mbrëmjen e djeshme, në rrugën e “Dibrës” në Tiranë, në autobusin e linjës-Kinostudio- Kombinat, dy shtetas që ishin pasagjerë në këtë autobus, si pasojë e një konflikti të çastit po dhunonin fatorinon e autobusit.
Drejtuesi i autobusit kur ka parë dy punonjës të policisë rrugore që ishin me shërbim në afërsi të Spitalit “Nënë Tereza”, ka ndaluar autobusin dhe ka kërkuar ndihmën e tyre.
Punonjësit e Policisë rrugore kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin, por dy shtetasit A.T., 24 vjeç, dhe F. K., 20 vjeç, banues të dy në Tiranë, kundërshtuan me dhunë edhe punonjësit e Policisë Rrugore, por nuk kanë mundur dot të largohen pasi janë neutralizuar dhe prangosur nga punonjësit e Policisë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A.T dhe F.K, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.