Pesë vite pas diskutimeve për reformën në drejtësi dhe tre vite nga miratimi për ndryshimet kushtetuese, drejtësia e re është në prag të finalizimit.
Veç nisjes së procedurave për të ngritur SPAK dhe plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka hapur rrugë konstituimit të Gjykatës Speciale, e cila do gjykojë dosjet që do referohen nga SPAK-u, për të gjitha veprat penale të korrupsionit si dhe për çdo akuzë penale për pushtetarët dhe ish-pushtetarët e lartë që nga viti 1990 e këtej.
Report TV i referohet raportit të depozituar në Kuvend mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e KLGJ, kjo e fundin informon Kuvendin se 22 gjyqtarë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit për Krimet e Rënda kanë dhënë pëlqimin për të shërbyer në Gjykatën e Posaçme apo siç njihet ndryshe Gjykatën Speciale.
Në raport thuhet konkretisht: “KLGJ nisi procedurën për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke i hapur rrugë krijimit të këtyre gjykatave. Krijimi i gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar përbën një gur themeli, në arritjen e pritshmërive që ka opinioni publik sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë.
Në këtë kuadër është kërkuar nga gjyqtarët në detyrë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe të Apelit, të cilët dakordësohen për të vijuar ushtrimin e detyrës se gjyqtarit pranë gjykatës së posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar: Të shprehin interesin e tyre me shkrim, së bashku me familjarët e tyre të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas parashikimeve ligjore.
Mbi këtë kërkesë, kanë dhënë pëlqimin pranë KLGJ 14 nga 15 gjyqtarë të cilët ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ndërkohë nga 11 gjyqtarë që ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, kane dhënë pëlqimin 8 gjyqtarë”.
-Por çfarë kompetencash ka Gjykata Speciale? Sipas nenit 135 të Kushtetutës:
“Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur”.
-Këshilli i lartë i drejtësisë i ka bërë 3 kërkesa Kuvendit:
-Rishikimin e kuadrit ligjor dhe plotësimin e vakumit të krijuar për shkak të shfuqizimit të disa dispozitave nga Gjykata Kushtetuese në ligjin nr. 115/2016 dhe ligjin nr. 96/2016, si dhe ndryshimeve të nevojshme që mund të lindin gjatë zbatimit të tyre në praktikë.
-Rritjen e burimeve njerëzore në gjykata me të paktën 150 punonjës për administratën gjyqësore në shkalle vendi kur nevojat e raportuara vlerësohen në të paktën 330 punonjës.
-Mbështetjen financiare në investime për rikonstruksionin apo ndërtimin e gjykatave, si dhe te sistemeve të teknologjisë së informacionit, veçanërisht të Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore./ Ky artikull i referohet Report Tv