Kosova po përballet këto ditë me temperatura të larta, të cilat, sipas Institutit Hidrometeorologjik, kanë arritur mbi 35 gradë celsius.
Ngritja e temperaturave ka rritur edhe numrin e personave që po kërkojnë ndihmë mjekësore.
Brenda 24 orëve, vetëm në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndihmë mjekësore kanë kërkuar mbi 236 persona.
Ndërsa për shtatë ditë kanë qenë katër mijë persona, që për shkak të temperaturave të larta, kanë pasur probleme shëndetësore.
Prej këtij numri, deri në dhjetë për qind janë pacientë me sëmundje kronike, ku patologjia më e shpeshtë është hipertensioni, pacientë të sëmurë në të kaluarën me goditje në tru, në zemër e disa sëmundje kronike tjera. Kështu tha Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, sipas të cilit, për fat të mirë deri tani asnjë rast nuk ka përfunduar me fatalitet.
“Ndikimi i rrezeve të diellit ka efekt të dëmshëm, sidomos te personat me sëmundje kronike. Mund t’i riaktualizojë shfaqjen e sërishme të sëmundjeve, si goditjet në zemër, goditje në tru e të tjera. Duhet të marrin ushqim të pasuruar me vitamina dhe të pinë dy litra ujë në ditë”.
g.kosovari