Në dhjetor të vitit 2016, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, pësoi një humbje të thellë elektorale në zgjedhjet e përgjithshme maqedonase, çka e detyroi të largohej pas 11 vitesh nga pozicioni i Kryeministrit.
Humbja e zgjedhjeve vendore ishte fillimi i fundit për Gruevskin, që i akuzuar si një vegël e Rusisë në Ballkan dhe në konflikt të hapur me perëndimin, u vendos brenda disa muajsh nën hetim për korrupsion.
Çfarë ndodhi më pas është një fakt i njohur për të gjithë. Gruevski u largua në mënyrë të fshehtë nga Maqedonia për t’i shpëtuar ndjekjes penale dhe sot jeton si azilant politik në Hungari.
Megjithatë, Gruevski nuk u largua paqësisht. Deklarata e tij e fundit ishte një shpallje e qartë lufte ndaj ndërkombëtarëve dhe ndaj të gjithë sistemit politik në Maqedoni. Çuditërisht, ajo deklaratë ka një ngjashmëri të habitshme me ato të Presidentit të Republikës, Ilir Metës.
Po çfarë kanë thënë njësoj Meta dhe Gruevski?
Një ditë më parë, kreu i shtetit postoi një status, në të cilin përqeshte përfundimet e Ambasadës Amerikane për zgjedhjet “e rregullta dhe paqësore”.
Ndërsa sot, Presidenti përsëri sfidoi përfundimet e SHBA-BE, duke i konsideruar zgjedhjet e 30 qershorit një farsë, duke theksuar se përfaqësitë diplomatike po tejkalojnë kompetencat e tyre, e duke nënvizuar se kriza duhet të zgjidhet nga shqiptarët, e jo ndërkombëtarët. Meta shkoi edhe më tej duke sulmuar institucionet zgjedhore, duke i etiketuar si Komisioni Qëndror Socialist dhe Kolegji Elektoral Socialist.
Në 15 dhjetor 2016, një ditë pas humbjes, Gruevski deklaronte: “Diplomatët perëndimorë po influencojnë anëtarët e Komisionit Zgjedhor për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve. Puna e Komisionit Zgjedhor është shndërruar në një parodi. Ne kemi informacione të qarta që përfaqësues perëndimorë po korruptojnë Komisionin. Anëtarët e Komisionit janë vegla në duart e socialistëve (në opozitë)”.
Në atë deklaratë të famshme Gruevski shtoi gjithashtu se në shenjë proteste, partia e tij do të bojkotonte të gjithë zonat ku ishte i nevojshëm një raund i dytë zgjedhjesh.
Në rezonancë me qëndrimet e Metës, më pas ish-Kryeministri autoritar i Maqedonisë theksoi se “asnjë zgjidhje nuk mund të vijë nga jashtë. Zgjidhjen duhet ta japin vetë maqedonasit”.
Në muajt përpara zgjedhjeve, ashtu si Shqipëria, edhe Maqedonia ishte e përfshirë në protesta. Në ditën e zgjedhjeve, Gruevski “i alarmuar” theksonte se “është e pamundur të parashikohet se çfarë do të ndodhë, sepse ka shumë qytetarë të revoltuar që shohin se si institucionet janë kapur dhe nuk punojnë në përputhje me ligjin”.
Janë pothuajse të njëjtat fjalë që ka përdorur edhe Presidenti Meta, në mënyrën se si ka justifikuar dekretin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve.
Ndërsa pas humbjes, Gruevski tha për kundërshtarin e tij: “Krimineli Zoran Zaev nuk do të mund të formojë kurrë një qeveri me vullnetin e qytetarëve të ndershëm të Maqedonisë. Ne nuk do ta lejojmë, qytetarët nuk do ta lejojnë”.
Deklarata të tilla janë artikuluar vazhdimisht gjatë protestave të opozitës edhe ne Shqiperi. Pas gjithë këtyre ngjashmërive, mbetet për të parë nëse edhe vazhdimi do të jetë i njëjtë.
Pas humbjes, Gruevski nisi një sulm të hapur ndaj ndërkombëtarëve, madje militantët e tij nisën një fushatë të ngjitjes së posterave të ambasadorëve, ku mund të lexohej nekrologjia e tyre.
Megjithatë, vreri i Gruevskit zgjati vetem për 4 muaj e gjysmë më shume. Me formimin e organeve të reja të drejtësisë në Maqedoni, gjykatat e vendosën Gruevskin përpara ligjit, duke u detyruar të largohej me turp nga dera e pasme e skenës politike./Lexo.al
Kronologjia e deklaratave te Gruevskit – https://sdk.mk/index.php/makedonija/kako-gruevski-za-4-pol-mesetsi-narodot-go-napadna-sobranieto/
Ne anglisht – https://balkaninsight.com/2015/05/18/embattled-macedonian-pm-gets-support-at-rally/
https://www.dw.com/en/macedonia-ex-pm-threatens-foreign-ambassadors-ngos/a-36833009