Nga kontrollet e kryera nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Tiranë, në kuadrin e garantimit të mbarëvajtjes së sezonit turistik, gjobiti dhe mbylli një nga tre subjektet pa kushte higjieno-sanitare dhe me produkte të skaduara.
Sipas AKU-së, nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Market” me aktivitet “Tregtim produktesh ushqimore” Tiranë, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë të palicencuar. Për shkeljen e konstatuar, AKU mori masën administrative “Gjobë” me vlerën totale 2,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse.
“Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “A.H.” me aktivitet “Restorant” Golem, u konstatua se subjekti ushton aktivitetin në kushte të papërshtatme higjeno-sanitare; produkte me afat të kaluar përdorimi; si dhe subjekti nuk implementonte sistemin e vetëkontrolli (HACCP). Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative “Gjobë” me vlerën totale 900,000 lekë; “Bllokimi i aktivitetit” dhe “Bllokimi i produkteve” të pasigurta për konsum, me qëllim asgjësimin e tyre”, thekson AKU.
Ndërsa nga kontrolli i ushtruar në subjektin “I.H.G.” me aktivitet “Restorant (produkte mixe)” Tiranë, u konstatua se subjekti nuk implementonte sistemin e vetëkontrollit (HACCP).
“Për shkeljen e konstatuar AKU mori masën administrative “Gjobë” me vlerën totale 100,000 lekë për mungesë të implementimit të planit të vetëkontrollit (HACCP)”, shprehet AKU.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë kontrollet rigoroze për të garantuar zbatimin e ligjit në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe ofrimin e produkteve ushqimore të sigurta për të gjithë konsumatorët, me qëllim garantimin e një sezoni turistik veror të shëndetshëm.