Një person nga Korça me inicialet T.Ç dyshohet të jetë paguar për të kryer vrasjen e Fadil Mema në Itali, por edhe dy vrasje të tjera të ndodhura në Elbasan, atë të Ilir Rrexhepit, vëllait të Roland Rrexhepit dhe Saimir Beqirit, vëllait të Gentian Beqirit. T.Ç mendohet se është ndihmuar nga anëtarë të grupit Çapja në Elbasan, për të kryer këto vrasje. Emri i tij del për herë të parë në dëshminë e djalit të Fadil Memës, Eltonit, i cili në prezencë të prokurorëve shqiptarë dhe italianë ka dëshmuar në gjykatën e Torinos, rreth këtij vrasësi me pagesë. Në materialin që disponon “Shqiptarja.com”, i cili gjendet në polici, prokurori, gjykatë dhe në duart e avokatëve, Elton Mema jep një përshkrim të gjatë rreth këtij vrasësi me pagesë, ku tregon se gjatë goditjes me armë të Ilir Rrexhepit, ky personazh ka mbetur i plagosur lehtë. Mema tregon momentin kur është njoftuar për vrasjen e dajës së tij Ardian Ibrahimi dhe tentativën e vrasjes së babait të tij në 2009 në Itali. Sot “Shqiptarja.com” vijon botimin e pjesës së dytë të dëshmisë së Elton Memës, i cili rëfen si më poshtë vijon:
“…babai im erdhi në Itali. Pas një periudhe të qëndrimit të tij në Itali, një ditë, babai im ndërkohë që gjendej me mua, mori një telefonatë nga ana e dajës tim Ardian Ibrahimi, i cili i tha se në shtëpinë tonë në Elbasan gjendej Ardian Çapja. Saktësoj se daja im Ardian Ibrahimi, në kohën që gjendej në lokalin e tij, arriti të shikonte Ardian Çapjan. Gjatë kësaj bisede, daja im Ardiani pyeti babanë tim nëse ai mund të takohej me Ardian Çapjan ose jo. Babai im iu përgjigj se mund ta takonte. Daja im vajti të takonte Ardianin dhe ky i fundit i tha se donte të takohej me babanë tim, Fadilin. Daja im Ardiani, i tha Ardian Çapjas se Fadili gjendej në Itali. Daja im i kërkoi Ardian Çapjas, nëse donte që ai vetë t’i referonte ndonjë gjë babait tim. Ardian Çapja është përgjigjur: “Jo”. Pas kësaj është larguar. Dy ose tri ditë pas këtij takimi, daja im Ardian Ibrahimi, është vrarë afër lokalit të tij rreth orës 20:30 të datës 28 qershor 2006.
Pyetje: Ju gjendeshit në Shqipëri kur u vra daja juaj?
Përgjigje: Jo, gjendesha në Itali.
Pyetje e prokurorit: Fadili vajti në Shqipëri për të marrë pjesë në funeralin e Ardian Ibrahimit?
Përgjigje: Po, u nis për në Shqipëri të nesërmen, më 29 qershor.
Pyetje e prokurorit: Kur Fadili është kthyer në Shqipëri, kishte marrë lajme mbi vrasjen e Ardian Ibrahimit?
Përgjigje: Po, ka pasur lajme dhe deklarimet që po ju jap unë bazohen në atë çfarë më ka thënë babai. Me shumë mundësi, autorët e vrasjes së Ardian Ibrahimit kanë hedhur kapuçin maskë në oborrin e një shtëpie ngjitur me lokalin e Ardianit. Mbase edhe armët. Kanë kaluar nëpër një rrugicë që kalohet ose me motoçikletë ose në këmbë, sepse makinat nuk mund të kalojnë. Në afërsi të rrugicës për të cilën po ju flas, një makinë ka pritur autorët e vrasjes së Ardianit. Pas verifikimeve teknike të kryera mbi kapuçët maskë është gjetur ADN-ja, e Sajmir Bakos dhe Bledar Muçës.
Pyetje e prokurorit: Ju po deklaroni në bazë të informacioneve të marra nga babai juaj?
Përgjigje: Po janë informacione që kam marrë nga babai im pas vrasjes. Saktësoj që të dy autorët e vrasjes së Ardian Ibrahimit janë dënuar, njëri me dënimin me 24 vite burgim dhe tjetri me 25 vite burgim. Muça është liruar, ndërsa Bako jo. Gjatë burgimit Bako ka kërcënuar duke thënë: “…nëse nuk më nxirrni nga burgu, unë do të flas…”. Këto informacione i kemi marrë nëpërmjet T.M.,ish-pjesëtar i policisë së burgjeve në burgun e Elbasanit, i cili i referohet edhe një fakti tjetër, që do të thotë se kur anëtarët e familjes Çapja shkonin të takonin në burg Florenc Çapjan, i thoshin po atij: “…mos u shqetëso, sepse sapo të dalësh ti ne rregullojmë Fadilin dhe do ta vrasim…”.
Pyetje e prokurorit: Pas vrasjes së Ardianit, e ke pyetur Fadilin nëse ai ka pasur dyshime lidhur me faktin që gjendej në rrezik?
Përgjigje: Jo, të paktën kështu dukej, se nuk ishim në rrezik. Kemi lënë gjithçka në duart e drejtësisë. Megjithatë nuk jemi fshehur, sepse kemi menduar se një ditë do të arrestoheshin të gjithë. Nuk kishim asnjë motiv për t’u fshehur, sepse ne nuk kishim bërë gjë dhe kjo histori duhej të mbaronte. Në shtator 2006, këta anëtarë të familjes Çapja: Ardian, Agron, Enver, si edhe një burrë tjetër me mbiemër Hita, janë arrestuar në Fier nga policia e të njëtit qytet, sepse janë gjetur në posedim të dy ose tre makinave, në brendësi të të cilave ishin të ruajtura armë zjarri, për të cilat Ardian Çapja dhe burri me mbiemrin Hita kanë marrë përgjegjësinë. Ata gjendeshin në Fier në drejtimin për Tepelenë ose Përmet.
Pyetje e prokurorit: Në shtator 2006, nëse ju e dini, Fadili ka qenë në Shqipëri?
Përgjigje: Jo, nuk ka qenë në Shqipëri, gjendej në Itali.
Pyetje e prokurorit: Në lidhje me vrasjen e Dritan Shemes, ju e dini kur është vrarë ky?
Përgjigje: Nëse nuk gabohem, ka ndodhur më 12 ose më 13 tetor 2006. Dua të saktësoj se Çapja dhe Hita ishin gjetur në fshatin tim në drejtim të Tepelenës ose të Përmetit për faktin e vetëm, sepse mendonin se Fadili dhe Dritani fshiheshin në këto lokalitete, pasi Fadili është me origjinë nga Tepelena dhe Dritani nga Përmeti.
Pyetje e prokurorit: Ju sa jeni në dijeni lidhur me tentativën e vrasjes në ngarkim të Fadilit, e cila ndodhi në 2009-n, në Moncalieri?
Përgjigje: Atë mbrëmje unë isha me të, deri rreth mesit të natës, mesnatë e gjysmë. Më pas vajta të punoj. Atë mbrëmje, ndërkohë që gjendesha me babanë tim, na arritën dy vëllezër nga Elbasani, me emrin Luan dhe Arsen Dehari. Këta dy vëllezër kanë të njëjën origjinë me Bledar Muçën, pra nga Golloborda. Saktësoj se Luani atë ditë ishte kthyer nga Shqipëria. Luani kishte një borxh prej 1.200 eurosh ndaj babait tim. Është një gjë e çuditshme që Luani atë mbrëmje erdhi të kthente paratë borxh ndaj Fadilit, duke parë se ishte një fakt i rëndësishëm që Luani merrte borxh te personat e tjerë, por që nuk i kthente kurrë. Shtoj që Luani shpërndante drogë me sasi 50-100 gramë kokainë në zonën e Piazza Bengasi të Torinos, dhe kur ishte momenti për të paguar me të ardhurat e shitjes së drogës, nuk ishte korrekt në dorëzimin e parave. Luani kishte edhe vesin e lojës në slot-makinat. Për motive, siç i kam shpjeguar më sipër, dhe duke njohur mirë cilësinë e personave si Luani, kemi mbetur të habitur me faktin që ai ka ardhur të paguajë borxhin me babanë tim. Nga ky takim, kur jam larguar, kam lënë babanë tim gjithmonë në shoqërinë e Luanit dhe të Arsenit dhe të dashurës së Luanit, një grua e huaj me emrin Daniel, kombësinë e së cilës nuk e di. Rreth orës 04:00-04:30 të mëngjesit, kam marrë një telefonatë nga një dajë i imi me emrin Dino, i cili më ka thënë se babai im ishte plagosur nga goditje me armë zjarri. Nuk kam vajtur direkt te babai im, sepse isha i detyruar të mbaroja punën. E arrita në spital pasi mbarova punën. Kam gjetur babanë në kushte të rëndas hëndeti, por nuk kishte vdekur, si falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, ashtu edhe nga fakti se arma me të cilën ishte goditur, ishte me kalibër të vogël, 7,65 mm.Babai im është shtruar përreth dy muaj e gjysmë në Molinette. Për t’u kthyer në mbrëmjen e atentatit, kur kam lënë babanë në shoqërinë e personave të përmendur, dua të shtoj se babai im më kishte thënë se Luani e kishte ftuar të shkonin së bashku për të marrë një panine pranë paninotekave të lëvizshme. Babai im e kishte refuzuar ftesën, por i kishte dhënë Luanit 20 euro, duke i thënë që të shkonin ata vetë të hanin nga një panine. Mendoj se Luani e ka ftuar babanë tim që të shkonte të merrte një panine, për ta bërë që të dilte nga lokali Bingo, ku gjendeshin të instaluara telekamera dhe për ta spostuar në një vend tjetër. Pas atentatit të vrasjes, karabinierët kanë ndërhyrë duke sekuestruar telekamerat e instaluara në Bingo, për të parë hyrjet dhe daljet e personave nga lokali. Pas kësaj ngjarjeje është arrestuar Arsen Dehari, sepse ishte i kërkuar nga policia ose karabinierët e Ancona-s për drogë, e cila i ishte gjetur në brendësi të apartamentit të tij, por i është gjetur në të njëjtën godinë, në katin e pestë të së njëjtës godinë ku ai vetë e kishte fshehur për një peshë të përgjithshme prej 1,2 kg kokainë. Substanca e drogës i është atribuuar Arsenit në bazë të përfundimeve të gjurmëve të gishtave. Neve na lindi dyshimi që vëllezërit Dehari kishin të bënin me atentatin e vrasjess së babait tim, ku pas kësaj ngjarjeje të dy vëllezërit Dehari, së bashku me një vëlla të tretë, me emrin Erjon, janë transferuar në Angli, të pajisur me pasaporta bullgare, falë edhe faktit që ata flasin një dialekt bullgar. Dua të saktësoj se më lind një dyshim, për faktin që Arseni kishte filluar të trafkonte sasi të mëdha substance droge, pa paguar paradhënie. Kjo do të thotë që personi që i besonte Arsenit këto sasi, kishte besim maksimal tek ai. Sipas meje, ky person nuk mund të ishte veçse Sajmir Serjani, shtetas shqiptar i arrestuar shumë herë në Itali për drogë. Ky person, nga Firenze e lart, në veri të Italisë, drejtonte një trafik droge me një sasi prej 30 kg kokainë në muaj. Saktësoj që po i njëjti, menaxhonte edhe trafikun e hashashit me prejardhje të ndryshme si Shqipëria, Maroku, Spanja dhe Hollanda. Babai im u ka treguar karabinierëve dinamikën e fakteve që lidheshin me atentatin për vrasje në ngarkim të tij. Atentatori ishte fshehur në errësirë përpara kofanos së makinës së babait tim. Besoj se në vendet ku ka qenë konsumuar tentativa e vrasjes, pra Bingoja e Moncalieri-t, por edhe vendi ku më pas është vrarë, domethënë në Via Pavese në Torino, janë karakterizuar nga fakti që këto vende nuk ishin larg nga autostrada, rreth një kilometër. Pas mesnatës semaforët nuk funksionojnë, trafiku është shumë i rrjedhshëm. Qoftë dalja e La Loggia-s, drejtimi Bingo e Moncalieri-t, ashtu edhe ajo e Stupinigi-t, nuk janë të pajisura me telekamera. Për një fakt tjetër, nëse ndonjë thërret policinë ose karabinierët, përgjigjen ata të Torino-s dhe nuk ndërhyn policia rrugore. Kjo sjell që, autorët e faktit të 2009-s, duhet të kenë marrë autostradën A21, drejtimi Asti qytet, ku në atë periudhë banonte Sajmir Serjani dhe të tjerë anëtarë të grupit, ku ai menaxhonte aktivitetin e trafikut të drogës. Sajmir Serjani kishte nën kontroll trafikun e drogës në zonën e Alessandria-s, Milano-s, Torino-s. Ndërsa duke u kthyer në faktin e vrasjes së 2015-s, ekzekutorët sipas meje, kanë shkuar nga vendi i vrasjes drejt Falchera-s, nëpërmjet kalimit nga Piazza Derna, vend ku në atë periudhë banonte Sajmir Serjani, për të vazhduar më pas në drejtimin për Milano, ose në hipotezë të dytë, drejtimi për Asti. Konfirmoj këtë, pasi makina e përdorur nga ekzekutorët është gjetur e djegur në Moncalieri, ishte një Toyota Aygo. Deklaroj gjithashtu dhe mendoj se Sajmir Serjani është krahu i djathtë i familjes Çapja dhe bashkëpunëtori i tyre kryesor në vrasjen e babait tim. Ai kishte pasur detyrën që të mbikëqyrte babanë tim, të gjente një makinë dhe një armë zjarri që t’ua jepte ekzekutuesve të babait tim. Këto ide kanë pasur një konfirmim në deklarimet gjatë hetimeve të dhëna nga vetë Serjani në policinë e Kuesturës së Torino-s, në kuadrin e hetimeve të kryera nga ata për vrasjen. Gjendja e tij e varësisë, është konfirmuar nga ai vetë, kur thotë në polici se ishte i detyruar nga Çapjat, që të merrej me trafik droge në Itali, për llogari të tyre. Në 2016-n Serjani është gjetur në posedim të 600 gramëve kokainë, të 109.000 eurove kash dhe në brendësi të makinës që kishte në momentin e arrestimit të tij, janë gjetur një palë çelësa të një apartamenti, në brendësi të të cilit forcat e rendit kanë gjetur 25 kg kokainë. Saktësoj se përfshirjen e Serjanit në aktivitetet e paligjshme të familjes Çapja, e kam mësuar nëpërmjet lajmeve të publikuara në kanalet e internetit. Dua të shtoj se personi që unë dhe e gjithë familja ime e konsideronim se ishte mik i yni, njëfarë Armando Kerra, me kombësi shqiptare, lindur në Kuçovë më 15 maj 1977 dhe rezident në Torino, kemi zbuluar se në realitet nuk ishte miku ynë. Dua të saktësoj se ai, në vitin 2007, për atë çfarë unë jam në dijeni, furnizohej me drogë nga Sajmir Serjani, deri në fund të vitit 2016, kur Serjani është arrestuar. Armando Kerra është një shpërndarës i kokainës këtu në Itali, në kuptimin që shet nga 0,5 kg deri në 1 kg njëherazi. Më 2011 kam vajtur në Shqipëri për të rinovuar pasaportën time dhe patentën dhe në të njëjtën kohë, kisha rënë dakord me Armando Kerran që t’i shisja makinën time, një “Mercedes CLK”, me kalim të pronësisë që do të bëhej në Shqipëri sepse atje kushtonte më pak. Këtë fakt të udhëtimit tim në Shqipëri e dinte vetëm Kerra. Nuk dinin asgjë as familjarët e mi, të cilëve u kisha thënë se do të shkoja të bëja një udhëtim në Venezia. Në kthimin tim në Itali nga Shqipëria, pas dy ditësh e gjysmë, babai im ka takuar një mikun e tij, Gentjan Balloma, i cili i tha se nëse unë do të isha ndaluar disa ditë më shumë në Shqipëri, do të më kishin vrarë. Gentjan Balloma e kishte mësuar këtë që i kishte thënë babait tim nëpërmjet një personi në Elbasan, i cili thërritet “Toka e Males”. Sipas rregullave të gjakmarrjes, pas tentativës së dytë të vrasjes, në dëm të babait tim, historia duhej të mbaronte. Dua të shtoj se, kur babai im fliste me njërin nga bashkatdhetarët tanë në liddhje me tentativat e vrasjes në ngarkim të tij, thoshte: “…unë nuk do të vdes për një plumb…”. Me gjasa, kjo frazë e thënë vazhdimisht, i ka bezdisur Çapjat. Në një periudhë në të cilën nuk e mbaj mend saktësisht datën, në Torino, mbërriti një burrë nga Elbasani, me emrin Ilir, me mbiemër Rexhepi, i ashtuquajtur “Lili”, i cili ishte vëllai i burrit të motrës së Dritan Shemes. Ky zotëri ka ardhur në Torino, me qëllim që të takonte si babanë tim ashtu edhe mua, por të dy ne nuk kemi pasur dëshirë që ta takonim. Unë e pashë rastësisht këtë person në një diskotekë, në shoqërinë e një mikut tim, të cilit ky “Lili”, i la numrin e tij të telefonit në mënyrë që ky i fundit të ma jepte mua, në mënyrë që unë të mund ta kontaktoja. Unë pasi e mora numrin e “Lilit”, ia dhashë babait tim dhe ai vajti ta takonte. Qëllimi i Lilit ishte të bashkohej me ne, për të goditur të gjithë së bashku Çapjat. “Lili” donte të hakmerrej kundrejt Çapjave, sepse këta i kishin vrarë të vëllanë, Roland Rexhepin, i ashtuquajturi “Doda”. Thoshte kështu edhe kur ishte i dehur. Për këtë qëllim kanë qenë të informuar edhe Çapjat, të cilët më pas, për fat të keq, e kanë vrarë. Me aq sa di unë, “Lili” është vrarë nga një vrasës me emrin T.Ç, person me origjinë nga Korça, qytet në kufi me Greqinë. “Lili” më përpara ka punuar për sigurinë e hotel “Univers”, në pronësi të familjes Çapja.
Pyetje e prokurorit: Ju nga kush i keni pasur këto informacione rreth vrasjes së Lilit?
Përgjigje: Nga informatorët e mi dhe nuk mund të jap burimin.”Lili” para se të vritej e ka njohur vrasësin e tij dhe ka qëlluar kundrejt tij duke e plagosur, por vrasësi i tij, edhe pse ishte i plagosur, arriti ta qëllonte dhe ta godiste për vdekje, ndërkohë që po hipte në bordin e makinës së tij. “Lili” është vrarë në Elbasan. Shtypi ia ka atribuar vrasjen e tij një farë Bledar Muça, mik i ngushtë i Florenc Çapjas. Mediat nuk kanë bërë kurrë të njohur emrin e T.Ç. Menjëherë pas vrasjes së “Lilit”, Bledar Muça dhe T.Ç, janë larguar përkatësisht, i pari drejt Maqedonisë ose Greqisë dhe i dyti drejt Korçës, ku ka mjekuar plagën që i kishte shkaktuar “Lili”.
Pyetje: Ju e dini se në cilën pjesë të trupit është plagosur T.Ç?
Përgjigje: Nuk e di, por mund të informohem lidhur me këtë çështje të veçantë. Është arritur te T.Ç, si autor i vrasjes së “Lilit” nëpërmjet një burri me emrin E.Ll, i cili është mik me Sajmir Bakut, po i njëjti “Baku” që ka vrarë dajën tim, Ardian Ibrahimi. Dua të saktësoj se T.Ç, është përdorur si killer në vrasjen e babait tim dhe në vijim edhe në vrasjen e Saimir Beqirit, që ka ndodhur në prill 2016, pranë autostradës në afërsi të Elbasanit. Gentian Beqiri, i thërritur “Xhixha”, së bashku me Dritan Shemen kanë qenë bashkëpunëtorë në vrasjen e Sokol Çapjas. Për këtë vrasje Gentian Beqiri është ndaluar dhe më pas është vënë nën “arrest në shtëpi” për faktin se ishte i paralizuar, paralizë e ardhur në tentativën për t’i shpëtuar arrestimit nga ana e Policisë së Elbasanit. T.Ç,është një mik i ngushtë i G.K, i thërritur “Xhoni”. Ky i fundit, të paktën deri në 2016-n, gjendej në burg në Shqipëri së bashku me E.Ll. G. K ka marrë pjesë në tentativën për të vrarë babanë tim në 2009-n. Dua të bëj të ditur edhe diçka lidhur me Luan Dharin dhe Armando Kerran, të cilët që prej 5 shkurt 2015 na kanë ndjekur (mua dhe familjarët e mi) si përreth banesës sonë, ashtu edhe në barin e drejtuar nga qytetarët kinezë. Si provë kemi rezultatet e tabulateve telefonike dhe të qelizave të telefonit, që kanë lidhur celularët e tyre, të dhëna që janë të pranishme në faqet 411-413 të shënimeve të Kuesturës së Torinos, në datën 5 qershor 2017, për të cilat kanë një kopje edhe autoritetet shqiptare që po më dëgjojnë. Nga këto shënime rezulton se abonimet telefonike të Luan Dharit dhe Armando Kerras janë lidhur në qelizat e Torinos. Pyes, si ka mundësi që këta persona, pas vrasjes së babait tim, të ndodhur në 2015-n, nuk janë dëgjuar asnjëherë nga hetuesit qoftë në kushtet e konsideratës që Luan Dhari dhe vëllai i tij Arsen Dhari ishin të pranishëm në brendësi të bingos në Moncalieri, natën e datës 3 maj 2009, lokal nga i cili babai im sapo kishte dalë përpara se të plagosej. Dorëzoj edhe kopje të shënimeve përfundimtare të kryera nga karabinierët e kompanisë së Moncalieri-t (TO) nr. 566/8-19, në datën 16 shtator 2009. Ditën e dyzetë të vrasjes së babait tim, unë kam insistuar me familjarët e mi, me qëllim që Armando Kerra të merrte pjesë në ceremoni, pasi nuk kishte marrë pjesë në funeralin e babait tim. Kerra u paraqit në ceremoni dhe ndërkohë që gjendej në hyrje të varrezave, kushëriri im Ivan Kosta iu drejtua Kerrës duke e pyetur se ku gjendej Serjani ose nëse e kishte parë Serjanin. Unë i bëra shenjë kushëririt tim që ta linte të qetë sepse ai nuk ishte momenti për të pyetur për këto gjëra. Më pas jemi kthyer në shtëpi, ku është zakoni që pihet kafe për të gjithë. Kerra doli nga shtëpia ime i shoqëruar nga unë dhe kushëriri im Ivan dhe në atë moment Kerra pyeti Ivanin përse e kishte pyetur për Sajmir Serjanin. Unë ndërhyra duke i thënë Kerrës se Sajmir Serjani ishte bashkëpunëtor në vrasjen e babait tim dhe se nga ai, Kerra, do të kisha dëshiruar që të kisha informacione. Më pas i kam thënë që të mos frekuentonte më Sajmir Serjanin, sepse unë kisha qëllimin që ta denoncoja për vrasjen e babait tim. Kerra përpara nesh, nxori telefonin e tij blackberry, duke i shkruar një mesazh Sajmir Serjanit me këtë ton: “…Bëj kujdes sepse Memat e dinë që ti ke të bësh me historinë…”. Kerra, si mirrnjohje të këtij informacioni që i ka dhënë Sajmir Serjanit ka marrë 200 gramë kokainë të pastër. Këtë mesazh, Sajmir Serjani nga ana e tij, ia ka xhiruar Çapjave, me përmbajtjen që vijon: “…Shiko se e kanë kuptuar…”. Ky mesazh është përgjuar nga Interpoli ose nga shërbimet sekrete të Shqipërisë. Çapjat i janë përgjigjur Sajmir Serjanit të mos e çajë kokën sepse kjo punë do të rregullohej nga ata.
Pyetje: Në cilën periudhë është shkëmbyer ky mesazh?
Përgjigje: Pas vrasjes së babait tim, në prill 2015.
Pyetje: Për cilin motiv Sokol Çapja nuk donte Dritan Shemen në festën e datëlindjes së Fadilit?
Përgjigje: Po Sokoli mundet edhe të ketë pasur frikë nga Dritan Sheme për paratë që duhej t’i jepte, për vrasjen e Rezart Çelës. Nuk mund ta dinte se si mund të reagonte Dritani sepse ishte një person që zemërohej menjëherë.
Pyetje: Ju e njihni qytetarin shqiptar Elvis Fetahu?
Përgjigje: Nuk e njoh personalisht, por jam në dijeni të faktit që ai, para 2010-s bënte pjesë në grupin e Çapjave. Pas 2010-s ka pasur një konflikt me zjarr me Çapjat dhe di që babai i Fetahut ka dashur të bisedojë me babanë tim Fadilin, lidhur me ekzekutuesin material të tentativës së vrasjes së babait tim, që ka ndodhur në 2009-n. Sipas babait të Fetahut, ekzekutuesi material i tentativës së vrasjes së babait tim, ka qenë Erdis Sulkja, i thërritur “Dizi”./shqiptarja.com
g.kosovari