Nga Alfred Peza
Me vendimin e kësaj jave, Kolegji Zgjedhor legjitimoi zyrtarisht 30 Qershorin, duke rrëzuar dekretin e Ilir Metës për anullimin e kësaj date.
Një nga mitet e rreme me të cilat u mbrojt opozita dhe propoganda e saj për ta zhbërë vendimin, lidhet me konsiderimin e tij si qëndrim vetëm për PUK-un e Idajet Beqirit, pa asnjë lidhje me dekretin e Kreut të Shtetit.
Po si qëndron e vërteta?
Në datën 10 Qershor Meta firmosi dekretin për anullimin e 30 qershorit 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore..
Në pikën e dytë, dekreti saktësonte se ai dërgohet për zbatim në KQZ, i cili duhej të merrte masat për t’ia njoftuar këtë akt të gjithë subjekteve zgjedhore.
KQZ e konsideroi dekretin e Presidentit një Akt Administrativ Absolutisht të Pavlefshëm dhe vijoi punën për përgatitjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Ky hap çoi në polemika mes atyre që janë pro e kundër kësaj çështje, derisa erdhi vendimi i së hënës së kësaj jave në Kolegjin Zgjedhor.
Katër arsyet kryesore se përse ky vendim i dha legjitimitet 30 Qershorit, gjë që u pa edhe nga deklaratat e menjëhershme të faktorit ndërkombëtar, janë.
Së pari, një vendim i Gjykatës Kushtetuese (150/2017) specifikon se Dekretin e Presidentit për datën e zgjedhjeve, e shqyrton Kolegji Zgjedhor.
Së dyti, nëse Dekreti i Presidentit do të ishte i vlefshëm (i ligjshëm, kushtetues, etj) atëherë në Shqipëri nuk do të kishte zgjedhje më 30 Qershor. Për rrjedhojë Kolegji Zgjedhor nuk do të merte në shqyrtim asnjë çështje me këtë objekt. Përfshi ankesën e PUK të Idajet Beqirit, që mbi bazën e dekretit të Metës, kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet.
Fakti që Kolegji Zgjedhor e shqyrtoi padinë e Idajet Beqirit, tregon se vendimi i KQZ që e shpalli Dekretin e Metës një Akt Administrativ Absolutisht të Pavlefshëm, ishte i ligjshëm. Pasi, ose Dekreti i Presidentit Të Republikës është i ligjshëm, ose vendimi i KQZ.
Së treti, botimi i dekretit të Presidentit për anulimin e 30 Qershorit në Fletoren Zyrtare, NUK i jep atij legjitimitet. Sepse Qendra e Botimeve Zyrtare nuk ka atributet e një gjykate për të vlerësuar ligjshmërinë apo ose jo të dekreteve, ligjeve apo akteve të tjera që shkojnë atje për botim. Shembull: 70 ligje Gjykata Kushtetutese i ka shpallur antikushtetuese, por të gjitha janë të botuara në Fletoren Zyrtare. Sot ato praktikisht nuk zbatohen. Ashtu siç nuk zbatohet as Dekreti i Ilir Metës për 30 Qershorin.
Së fundi, Presidenti deklaroi se vendimi u mor nën presion politik, çka tregon se ai vetë e ka shumë të qartë, që Kolegji Zgjedhor e ka tagrin dhe fuqinë për ta bërë NUL dekretin e tij, siç edhe ndodhi praktikisht.
Kjo është arsyeja se përse edhe vetë Ilir Meta indirekt e pranoi dje në konferencën për shtyp se 30 Qershori nuk mund të ndalet.