Kryeministri Edi Rama ka vendosur të çojë në gjykatën gjermane gazetarin Peter Tiede për fushatën në shtyp, të ndërmarrë kundër qeverisë dhe kundër Shqipërisë, të bazuar mbi disa përgjime, pjesë e dosjeve të famshme 339 dhe 184, që një prokuror i ka vjedhur nga zyrat e Prokurorisë për t’ia dhënë PD-së. Ajo që të habit në këtë betejë politiko-mediatike është reagimi i Peter Tiede-s, i cili këmbëngul të sulmojë kryeministrin, duke pretenduar se përgjimet janë autentike.
Askush nuk e ka vënë në diskutim që përgjimet janë autentike dhe, në fakt, padia e Ramës nuk synon të tregojë se ato dokumenta janë false. Tjetërkund qendron çështja: a janë të bazuara akuzat që Peter Tiede hedh në artikujt e tij kundër Edi Ramës, kundër qeverisë dhe kundër Shqipërisë, e cila, sipas gazetarit gjerman, nuk meriton të hapë negociatat me Bashkimin Evropian? A mjaftojnë si prova përgjimet (autentike), të përdorura nga Peter Tiede, për të akuzuar Ramën se ka organizuar shitblerje të votave, se e ka kthyer Shqipërinë në një narko-shtet, etj, etj?
Duke rënë në të njejtin mëkat që bën opozita shqiptare, Peter Tiede është transformuar në prokuror, duke zhvilluar një fushatë mediatike të njëanshme, gjatë së cilës nuk u ka dhënë asnjëherë mundësinë, as Ramës, as protagonistëve të tjerë të artikujve të tij, që të mbrohen.
Dhe është pikërisht për këtë, që ai duhet të përgjigjet para një gjykate gjermane, e cila nuk duhet të përcaktojë nëse përgjimet janë apo jo autentike, por duhet të përcaktojë nëse Peter Tiede i ka apo jo provat e mjaftueshme për të vërtetuar akuzat e bëra. Dhe, ndoshta, pikërisht pasi ato përgjime janë autentike, do të mund të akuzohej edhe se ka përdorur material dhe dokumenta të vjedhura nga Prokuroria e Tiranës dhe pastaj “i ka shitur” si artikuj në Gjermani. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Gjermani, në fakt, ai, që përfiton direkt apo indirekt nga përdorimi i materialeve të vjedhura, ka kryer një vepër penale.
Të gjitha këto, Peter Tiede nuk duket se i ka kuptuar dhe ai këmbëngul me agresivitetin e tij verbal, pa e ditur se çdo postim i tij kundër Ramës bëhet një provë e re në dosjen e avokatit sepse ata tregojne qe ai nuk reagon si nje gazetar i pavarur dhe profesionist, por si nje militant qe eshte pjese e nje fushate politike. Kështu që lind pyetja nëse ky Tiede a është vërtet aq naiv, apo vetëm bën sikur është i tillë.
*Shqiptarja.com