“Do të doja të kisha përballë Sali Berishën e Lulzim Bashën”.
Kështu u shpreh kandidati socialist Erion Veliaj mbrëmjen e sotme në emisionin”Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi. I pyetur nëse e shijon këtë garë, kandidati socialist theksoi se Berisha dhe Basha nuk janë gati që të përballen pasi në katër vite në Bashkinë e Tiranës nuk bënë asnjë gjë.
“E kemi thënë para shumë kohësh që ajo që ne do të preferonim, e kam thënë shpesh që do të doja të kisha përballë Sali Berishën, Lulzim Bashën, ata njerëz që anatemojnë kryeqytetin, që organizojnë çdo sabotim. Mesa duket nuk janë gati dhe nuk mund të përballen dhe nuk kanë fuqi argumentuese.
Dhe Tirana me të drejtë mund të jetë larg të qenit perfekte, por sot është më e mirë se Tirana që gjeta, që i kishte ngecur ora jo vetëm në sensin metaforik, por edhe në sensin fizik të fjalës. Nuk ishte ngulur një gozhdë. Kam sfiduar prej katër vitesh të gjithë ata që kanë pasur kritika dhe që janë dirigjuar nga kjo dyshe. Mesa duket në 4 vite nuk prodhuan dot një alternativë, megjithatë porosia ditën e parë të fillimit të punës në Bashki ka qenë:
Ne duhet të funksionojmë me atë që quhet fushata perpetue (perfekte). Pra ne çdo ditë duhet të punojmë sikur është në fushatë, çdo ditë duhet të tregojë një punë konkrete, sigurisht që do të ketë kritika dhe debate, si ato që ju përmendët. Por më thuaj dikë që punon dhe nuk kritikohet. Ndryshe fakti që do bënim është që të mos bëjmë asgjë dhe nuk do të marrësh asnjë kritikë”, tha Veliaj.
Kandidati i koalicionit të majtë u shpreh se fokusi i tij i punës është që Bashkia të vërë dorë aty ku qyteti ka nevojë që të ketë një ndërhyrje energjike.
“Lulzim Basha nuk bëri asgjë dhe nuk mori asnjë kritikë, por pastaj i humbi të gjithë, sepse unë besoj që nuk zgjidhemi që të mos prekim gjë me dorë, përkundrazi të vëmë dorë aty ku qyteti ka nevojë që të ketë një ndërhyrje energjike të Bashkisë.
Ajo që i kam kërkuar stafit të fushatës është që ne të replikojmë ekzakt fushatën e 2015-ës ku kishim 5 kandidatë, tani kemi 1 kandidat të djathtë. Kam qenë në të njëjtat vende për të respektuar njerëzit”, tha ai.