Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, konstitucionalisti Ilirjan Celibashi deklaroi në një intervistë televizive se Presidenti Ilir Meta nuk ka asnjë mundësi për të vendosur shpërndarjen e Parlamentit.
“Presidenti i Republikës në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk mundet që të shpërndajë Kuvendin e Shqipërisë. Presidenti nuk ka autoritet kushtetues, që të vendosë për një arsye të caktuar, që ta shpërndajë parlamentin”, – tha Celibashi, sipas të cilit dekreti i Presidentit Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit është në tejkalim të kompetencave të tij.
“Dekreti i Presidentit të Republikës, nuk vjen në zbatim ose në përmbushje të ndonjë detyrimi, apo të drejte kushtetuese, apo ligjore të presidentit. Unë mendoj se Presidenti i Republikës, ashtu siç e ka përcaktuar Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, ka vetëm një moment që e lidh atë me procesin zgjedhor, dhe ky moment është vetëm shpallja e datës së zgjedhjeve”, – theksoi Celibashi.
Por, kjo sipas tij, nuk përbën shkelje të rëndë kushtetuese dhe të krijojë kushtet për shkarkimin e tij.