Pesë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor do të vendosin ditën e sotm për fatin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke i dhënë fund edhe përplasjes mes Kuvendit dhe Presidentit për ligjshmërinë ose jo të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve.
Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita pretendojnë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është kushtetues dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, ndërsa shumica e konsideron antikushtetues dhe për rrjedhojë ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka njohur dekretin e kreut të shtetit, duke vijuar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor në 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita dhe Presidenca kanë kërcënuar anëtarët e KQZ me burg.
Në këto kushte, Kolegjit Zgjedhor do të thotë fjalën e fundit për përplasjen e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptare. Kolegji është vënë në lëvizje nga kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri.
Avokati Beqiri i kërkoi fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve çregjistrimin e Partisë së Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet. Beqiri e argumentoi kërkesën dërguar KQZ-së, se zgjedhjet janë anuluar me dekret të presidentit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.
Por kërkesa u rrëzua nga KQZ-ja, me argumentin se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Në këtë kushte, Beqiri e dërgoi kërkesën në Kolegjin Zgjedhor. Gjykata e Zgjedhjeve ka vendosur shqyrtimin kërkesës në datën 24 qershor (pra ditën e sotme).
Nëse Kolegji Zgjedhor do të pranojë sot kërkesën e Idajet Beqiri për të çregjistruar Partinë e Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet, do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i ligjshëm dhe për pasojë nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor.
Nëse Kolegjit Zgjedhor lë në fuqi vendimin e KQZ për të mos pranuar kërkesën e Idajet Beqirit, vendimi do të konfirmonte paligjshmërinë e dekretit të Metës, duke i hapur rrugë zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor. Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të shqyrtojë kërkesën përbëhet nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj, shkruan shqiptarja.com.
Precedenti
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, pas paktit Rama-Basha, dy palët ranë dakord për të shtyrë zgjedhjet me një javë. Vendimi i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve në 2017 u ankimua nga partia Forca Rinia, por Gjykata Kushtetuese deklaroi para dy vitesh, kur ende nuk ishte shkrirë nga Vetingu se kundërshtimi i dekretit të Presidentit, asokohe Bujar Nishanit, i cili ndryshoi datën e zgjedhjeve nuk ishte në juridiksionin e shqyrtimit nga Gjykatës Kushtetuese. Para dy viteve, Gjykata Kushtetuese deklaronte se sipas rastit, (në varësi të natyrës së kërkimit apo thelbit të mosmarrëveshjes) kundërshtimi i dekretit të Presidentit mund të jetë objekt i shqyrtimit nga gjykatat administrative apo në juridiksionin e Kolegjit Zgjedhor.
g.kosovari