Nga Artur Ajazi
Për të paktën edhe 20 vjet, Partia Demokratike do të ketë brënda saj jo vetëm hijen, por edhe frymën, aromën, xhestikulacionet dhe gjithçka tjetër të prijësit të saj historik Sali Berisha.
Mjafton të shikosh se si flasin, se si lëvizin, se si tundin duart , krahun dhe kokën, se si i drejtohen me gishtin tregues “armikut” të klasës, kundërshtarit politik, deputetëve, kryeministrit, apo atij që shprehet kundër Lulzimit dhe vetë Doktorit, dhe do të bindesh se të gjithë në PD duan, dhe po i ngjajnë Të Madhit.
E kanë patur dhe e kanë “ andërr” dhe krenari ti ngjasojnë fillimisht nga timbri i zërit, nga mënyra se si të drejtohet Doktori kur të takon, kur të sulmon, kur të akuzon, kur të denoncon, kur të paralajmëron, apo dhe kur të paracakton ditën dhe datën kur ti duhet të ikësh nga pushteti, zyra e partisë, Tirana, apo dhe Shqipëria.
Nuk e luan as topi i Ali Pashait se, edhe Lulzimi kryetari aktual i PD, ka marrë shumë nga Doktori, duke nisur nga mënyra se si takon njerëzit, nga pozicioni që merr kur është në festa zyrtare dhe mitingje “popullore” (për revolucion nuk dihet akoma) nga mënyra se si ulet në studio televizive, nga mënyra se si lëshon akuzat e denoncimet duke mos e ndarë për asnjë moment togfjalëshin “kriminel, qeveri e krimit, trafikantë, narkoshteti, deputetë të kapur, mjerë ju sa të vijmë në pushtet, ke afat 48 orë, të largohesh nga pushteti, kjo qeveri i ka ditët e numuruara”, etj, etj.
Lulzimi ka marrë shumë nga Doktori, edhe nga mënyra se si bëhen zgjedhjet në PD, apo se si rizgjidhesh kryetar partie disa herë, deri në përjetësi.
Si nuk i lanë gjë pa marrë Doktorit, edhe në deklaratat e paraprotestës, mesprotestës, apo dhe në ato pasprotestës, tek i dëgjon si Lulzimin, Ervinin, Enkeledin, Flamurin, dhe deri Gridën, të zgjasin gishtin tregues dhe të japin paralajmërime “të forta” se “qeveria e krimit nuk ekziston më, Rama ra, nuk e njohim më Policinë e Shtetit, nuk njohim më narkoshtetin, jemi me Presidentin, nuk ka zgjedhje ”, etj, etj, idiotësi të tilla kalibrike për një politikë mjerane dhe aspak europiane.
Të gjithë sapo gdhihen duan ti ngjajnë Doktorit në PD, nga mënyra se si ulen në kafene, nga mënyra se si zbresin nga makinat e tyre 100 mijë euroshe në oborrin e SHQUP-it, apo dhe mënyra se si mundohen ti përshtaten atij në të folurën dialektore.
Partia Demokratike është e pamundur ti ndahet Doktorit, pasi “kur themi PD nënkuptojmë Doktorin, dhe kur themi Doktori nëkuptojmë PD”, ndaj dhe nuk ka se si Lulzimi të “europianizojë” një parti të mitizuar, e cila e ka bosht të programit dhe ideve rracionalizuese “revolucionin popullor”.
Por muajt e fundit në PD (pas një periudhe heshtje) ka nisur të gjallërohet edhe kapsolla, tymuesja, molotovi, dhe sidomos fishekzjarri. Të gjitha këto, janë pikat e “dobëta” të asaj që pasuesit dhe ngjasuesit e Doktorit i quajnë “mjete demokratike për marrjen e pushtetit”.
Pa u pajisur me këto “mjete demokratike” nuk ka kuptim protesta, nuk ka gjallëri revolta, nuk ka sukses mitingu para Kryeministrisë dhe Parlamentit. Pa dyshim që Lulzimi edhe herën e fundit ka dashur shumë ti përdorë, por ja që “porositë” e ambasadorëve, ishin më paralajmëruese se dritëhija e fortë e Doktorit.