Zgjedhjet e 30 qershorit janë momenti ku qytetarët e Tiranës do të vendosin për të çuar përpara punët e mira që janë bërë në kryeqytet për fëmijët e tyre, duke filluar nga këndet e lojërave, çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me familjet e reja në kryeqytet, ku foli për punët e bëra dhe që i shërbejnë më së shumti të ardhmes së qytetit, si dhe projektet dhe idetë që do të zbatohen në 4 vitet e ardhshme me fokus sërish te fëmijët.
Ai u shpreh se për cilindo prind në Tiranë është e rëndësishme që në 30 qershor t’i bëjë një pyetje vetes nëse do të votojë për të ardhmen e fëmijëve, që punët e mira të vazhdojnë edhe 4 vjeçarin tjetër, apo do të qëndrojnë në shtëpi duke menduar për hallet e politikanëve dhe drejtuesve të partive.
“Dua t’ju garantoj se në Tiranë s’do të kemi asnjë problem, për ne 30 qershori do të jetë një ditë feste, ku me fëmijët për dore do vendosim se kush punon për fëmijët, kush punon për të ardhmen dhe kush do të na mbajë peng në të kaluarën. Nuk dua t’ju flas për fushatë sepse besoj se në Tiranë fokusi tek fëmijët ka qenë fushata më e mirë që kemi bërë në këto 4 vjet. Por, ajo që dua nga ju është që, kur të shkoni te këndi i lodrave, se zakonisht aty shkojnë edhe prindërit me kasketë që protestuan kundër ndërtimit të këndit, t’u thoni hiqeni kasketën, nuk ka nevojë të fshiheni, të gjithë bëjmë gabime, ajo që ka rëndësi është që të mos mendojmë më për shefat e partisë, por të mendojmë pak më shumë për fëmijët”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se zgjedhja është e qartë, pasi politikanët që sot kërkojnë ta mbajnë peng vendin i kanë zgjidhur hallet e fëmijëve të tyre. “Nëse përgjigja është që nuk do të jetojmë për 30 vitet e kaluara, por për 30 vitet e ardhshme, besoj se zgjidhja është e qartë. Ndaj, dua që të flisni me të gjithë, t’u themi kjo çështje është për fëmijët tanë që do të rriten këtu, që shkojnë në këto çerdhe, në këto kopshte, jo për fëmijët e atyre që i kanë çuar jashtë dhe që i kanë zgjidhur këto punë; politikanët i kanë zgjidhur këto muhabete, fëmijët e tyre i kanë bërë edhe me pasaporta të huaja, i kanë çuar edhe me shtëpi jashtë, me shkollim jashtë, por pyetja është për ne të tjerët që kemi vendosur të jetojmë këtu: Do ta bëjmë këtë vend apo do të zihemi me njëri-tjetrin për politikanët që i kanë zgjidhur hallet e tyre?”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se protesta e fundit e opozitës tregoi më së miri se sa u dhimben drejtuesve të opozitës fëmijët e shqiptarëve. Sipas tij, drejtuesit e opozitës sa herë që organizojnë protesta të dhunshme përdorin fëmijët e shqiptarëve të thjeshtë, ndërsa kur vendosin që protesta do jetë paqësore marrin me vete fëmijët e tyre. “E keni vënë re kur protestat janë të dhunshme, vënë kalamajtë e shqiptarëve, kur protestat janë paqësore marrin kalamajtë e tyre. Kështu që, vetëm ky shpjegim ju tregon se kalamajtë tanë janë mish për top, jepu dinamit, jepu fishekzjarr, jepu Molotov, edhe t’i bien qeverisë, ndërkohë që kur vjen puna tek kalamajtë e tyre nuk rrezikojnë. Tani unë them më qartë se kaq nuk na ka folur kurrë politika”, tha Veliaj./l.m