Një shqiptar 40-vjeçar ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur në një aksident të rëndë në Greqi. Ngjarja ka ndodhur në orën 02:30 të mëngjesit të kësaj të diele në Trikala, raportojnë mediat greke. Sipas tyre, automjeti me të cilin udhëtonin shqiptarët u përplas me një shtyllë betoni. Në vendngjarje mbërritën policia, ambulanca dhe zjarrfikësit.
Këta të fundit nxorrën nga automjeti i dëmtuar trupin e pajetë të shoferit shqiptar dhe pasagjerin që kishte mbetur i plagosur, gjithashtu shtetas shqiptar 40 vjeç. Ky i fundit u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Mediat greke nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës. Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e lartë çka solli edhe humbjen e kontrollit të automjetit./l.m