Këshilli i Ambasadorëve ka reaguar përmes një deklarate shpërndarë mediave lidhur me situatën politike në vend.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me vëmendje situatën politike tejet të tensionuar në Shqipëri dhe shprehet i shqetësuar për mungesën e gjetjes së rrugës së dialogut politik midis aktorëve më të rëndësishëm në vend.
Në momentin kur vendi përballet me mundësinë e çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, si rruga e vetme për mbështetjen dhe çuarjen përpara të të gjitha reformave, konflikti politik ka marrë një kurbë ngritje, që nëse nuk ulet me shpejtësi, ka të gjitha gjasat të marrë përmasa dëshpërimisht të paparashikuara.” -thuhet në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve, në të cilën theksohet se gjatë periudhës 30 vjeçare të pluralizmit politik, Shqipëria ka kaluar disa herë në vorbull krizash me pasoja të rënda për vendin të cilat kanë ardhur si rezultat i mungesës së sjelljes demokratike të liderve politikë.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të rrëshqitjes disa herë në konflikte sociale e politike, ku fatkeqsisht është dashur vetëm ndërhyrja energjike e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e situatës.
Kjo krizë e përsëritur po demonstron një mungesë të maturimit politik si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë në botë dhe besueshmërinë ndaj partnerëve të saj euroatlantikë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë bën thirrje për organizimin e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si e drejtë themelore e një vendi demokratik si dhe dënon me forcë, blerjet dhe trafikimin e votave që deformojnë vullnetin e qytetarëve Shqiptarë.
Apeli ynë është për dialog dhe kompromis të menjëhershëm, me qëllim vënien e interesit të qytetarit në qëndër të çdo akti politik dhe interesi i vendit të jetë mbi çdo interes tjetër partiak.
Ne shpresojmë se forca e arsyes dhe jo arsyeja e forcës do triumfojë. Nuk kemi kohë për të humbur, ashtu siç nuk kemi asnjë nevojë të kthehemi e të bëjmë hapa pas apo të cënojmë pluralizmin politik. Sakrificat e mëdha për ta arritur atë nuk n’a lejojnë kurrësesi ta vemë në pikëpyetje.” Përfundon deklarata e Këshillit të Ambasadorëve.