Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar ne detyre drejtuesen e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollanin.
Hetimi ishte kryer në tri kriteret e rivlerësimit. Kështu, për Dollanin, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit ka dorëzuar një raport me konstatimin se ka kryer deklarim të saktë, ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive, nuk ka kryer deklarim të rremë apo fshehje të pasurive.
Edhe nga hetimi i KPK-së, nuk kanë rezultuar probleme për gjyqtaren, ndërsa në sitë janë kaluar edhe shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në Francë. Sipas relacionit, Dollani ka në pronësi një apartament të dhuruar nga motra e saj, me sipërfaqe 79 metra katrorë në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se motra e Dollanit ka qenë në Shqipëri kur është realizuar kontrata e dhurimit.
Më tej, relatorja u shpreh se rezulton që Dollani të ketë paguar detyrimet lidhur me kalimin e kësaj pasurie në pronësi të saj dhe se nuk janë gjetur indicie për të ngritur dyshime rreth ligjshmërisë së burimit të krijimit.
Në adresë të gjyqtares janë bërë 7 denoncime dhe asnjë prej tyre nuk kishte indicie për shkelje, edhe denoncimi i bërë nga Emiljano Shullazi dhe 4 të pandehurit e tjerë nuk krijoi probleme për Dollanin, që cila sot u konfirmua në detyrë.
g.kosovari