Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, deklaroi sot se “e njëjta histori me Sali Berishën. Edhe tani Saliu po frymëzon të njëjtin revolucion kundër kryeministrit të partisë kundërshtare”.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, zv/ministri Koçi thekson se “kur ishte Nano kryeministër në ’97 – ’98-ën Berisha bëri revolucionin Nano ik! Në 14 Shtator bëri tentativën për grusht shteti. Lexoni gazetën RD të datave 9, 10, 11, 12 shtator 1998, para vrasjes së Azem Hajdarit për të kuptuar që s’kishte lidhje me atentatin, por me programin e PD”.
“Në ’98-’99 erdhi Majko. Prapë revolucion me demonstrata të përnatshme me sloganin” Qeveri komuniste, qeveri hajdute, qeveri tradhtare!” Edhe pse në Shqipëri u strehuan mbi 500.00 vëllezër e motra nga Kosova. Me vetë bashkëpunëtorin e tanishëm Meta, e njëjta histori: Meta ik! Bile më pas, kur ky ishte kryetar Kuvendi iu vërsulën me dhunë në parlament!” – theksoi Koçi.
Zv/ministri Koçi shprehet se “edhe tani Saliu po frymëzon të njëjtin revolucion kundër kryeministrit të partisë kundërshtare! Të jeni të bindur që nuk e ka me Ramën! As me përgjimet! E ka me zakonin dhe me hallet e tij! Kjo situatë nuk ka lidhje me ’97-ën! Është fotokopje e 14 Shtatorit ’98”.
/a.r