Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut ka komentuar reagimet e Tiranës zyrtare pas deklaratës së Presidentit Pendarovski se Maqedonia e Veriut duhet të veçohet nga Shqipëria, në çështjen e negociatave. Ai tha se Shqipëria meriton po njësoj të bëjë hapa para në procesin e integrimit.
“Sinqerisht mendoj se është mirë që edhe Shqipëria të bëjë hapa përpara. Kjo do të ishte mirë për të gjithë rajonin. Nëse për këtë nuk ka kushte, mendoj se do të ishte mirë edhe për Shqipërinë, që Ne të kemi sukses, që politika e zgjerimit të mbetet e qëndrueshme, që të jepet sinjal se kjo është e mundshme dhe të krijohet një atmosferë që të jetë e pamundshme që Shqipëria të ngec dhe të presë shumë gjatë.
Ndërkaq, Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, i është përgjigjur Nënkryetarit të opozitës maqedonase Aleksandar Nikolovskit për gjoja “planin sekret” me ish- Ministrin e jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushatin, sipas të cilit do te tentohej bllokimi i reformave në Shkup me qëllim që të mbulohen dështimet e Shqipërisë në rrugën drejt integrimeve evropiane.
“T’ju përgjigjem dilemave tuaja: as ne nuk mund të ndikojmë në procesin e integrimeve evropiane të Shqipërisë, e as ata nuk mund ta pengojnë progresin tonë; e vetmja gjë që mund të bëjmë është t’i ndihmojmë njëri tjetrit, sepse kemi një qëllim të përbashkët – të shohim Ballkanin Perëndimor të integruar në BE”.
Siç deklaroi kryeministri Zoran Zaev, Maqedonia e Veriut ka marrë garanci me shkrim për fillimin e negociatave në vjeshtë, ku krahas disa vërejtjeve rreth zbatimit të reformave, asnjë vend anëtar nuk ka qenë kundër.
/a.r