Bashkia e Lezhës i është bashkuar vendimit të Shkodrës dhe Tropojës dy bashkive të tjera që drejtohen nga demokratët, duke kërkuar lirimin e ambienteve të KZAZ-ve pas vendimit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve.
Bashkia Lezhë përmes një letre drejtuar KZAZ nr. 13 në këtë bashki i vendos ultimatum duke i kërkuar lirimin vullnetarisht të ambienteve të shkollës ‘Besëlidhja’.
Nëse nuk do largohen deri në orën 16:00 të ditës së sotme, kryetari i bashkisë Lezhë Fran Frrokaj kërcënon se do të ndërhyhet. Gjithashtu ai bën thirrje edhe për heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve.
Por paraditen e sotme ishin punonjësit e bashkisë së Tropojës, që drejtohet nga përfaqësuesi i PD-së, Besnik Dushaj që kanë shqyer derën e KZAZ-së nr. 9 duke marrë materialet zgjedhore dhe hedhur në rrugë nën thirrjet ‘Rama ik’. Më pas të gjithë punonjësit e bashkisë kanë lënë zyrat e punës duke shkuar te KZAZ nr. 9 që është vendosur te muzeu i qytetit. Punonjësve që shqyen derën iu bashkuan edhe militantë të PD-së.
Në Tropojë ishte njëjta situatë si në Shkodër, ku policia bashkiake ishte në krah të punonjësve bashkiakë të drejtuar nga i zgjedhuri i PD-së, që kërkonin zbatimin e dekretit të Presidentit duke mos e njohur KQZ-në, ndërsa policia e rendit në mbrojtje të anëtarëve të KZAZ-së.
Nga ana tjetër kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi mbajti një konferencë për mediat ku tha se do të bëjë gjithçka që të mos lejojë që ambjentet që janë në administrim të Bashkisë, siç është Pallati i Sportit, të mos përdoren si KZAZ, pasi siç tha ajo zbaton vetëm dekretin e Presidentit Ilir Meta, që e ka anuluar 30 qershorin si datë zgjedhjesh.
E pyetur nga gazetarët, nëse KZAZ-të do të zhvendosen në një tjetër ambient që nuk është në administrim të Bashkisë, ajo sërish tha se do të bëjë gjithçka që Shkodra të mos kalojë në një proces farsë ligjor, duke deklaruar se këtë “betejë” po e bën për të ruajtur ambientet që janë në administrim të Bashkisë së Shkodrës.
Ademi nxorri veten zbuluar se në fakt se e gjitha është vetëm për të penguar procesin zgjedhor, edhe nëse KZAZ-të do të zhvendosen në ambjente që nuk i takojnë Bashkisë.
Të gjitha bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të opozitës jo parlamentare (PD -LSI) kanë kërkuar që të lirohen KZAZ-të pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Këto bashki kanë deklaruar se nëse nuk do të lirohen ambientet që janë në menaxhim të bashkisë dhe po përdoren për KZAZ, atëherë do të ndërhyjë policia bashkiake e cila në këto raste po përdoret nga kryetarët e bashkive.
g.kosovari