Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, me ftesë të Ministres Franceze së Drejtësisë, Nicole Belloubet, mori pjesë, si një nga folëset në Konferencën e Nivelit të Lartë, e organizuar në Strasburg për 20 vjetorin e GRECO, nën kujdesin e Presidencës Franceze. Konferenca organizohej me qëllim diskutimin e rolit të Këshillit të Evropës (GRECO) në luftën kundër korrupsionit dhe prezantimi nga të ftuarit e nderit të arritjeve në vendet e tyre. Ministrja Gjonaj prezantoi në këtë Konferencë arritjet dhe rezultatet e Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit.
Në fjalën e saj ministrja Gjonaj vlerësoi rolin që Këshilli i Evropës dhe mekanizmat e krijuara prej saj, siç është edhe GRECO, luajnë në forcimin e legjislacionit dhe praktikave të mira, në t ë gjitha vendet anëtare. Ministrja ka vlerësuar veçanërisht rolin që rekomandimet e GRECO kanë luajtur në Shqipëri në forcimin e integritetit të deputetëve, zyrtarëve publik dhe gjyqtarëve e prokurorëve. Ministrja nënvizoi faktin se, falë rekomandimeve të GRECO, Kuvendi arriti të miratonte edhe Kodin e Sjelljes së Deputetëve, si një instrument që përmirëson përgjegjshmërinë e të gjithë deputetëve.
Gjithashtu, Ministrja Gjonaj ka theksuar se Shqipëria ka përmbushur plotësisht një pjesë të rekomandimeve të GRECO, veçanërisht ato që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, forcimin e integritetit të nëpunësve të nivelit të lartë dhe agjencive ligjzbatuese, si dhe përmendi rolin që këto rekomandime kanë luajtur në hartimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi, veçanërisht parimet që lidhen me llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ministrja i informoi të pranishmit edhe mbi rezultatet e deritanishme të Reformës në Drejtësi, veçanërisht ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe rezultatet e Task Forcës Kundër Korrupsionit, si një nga mekanizmat që synon të luftojë dhe parandalojë korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës publike. Ministrja vlerësoi rolin që ka luajtur deri më tani GRECO, por vuri në dukje se gjatë 10 viteve të ardhshme duhet të nxitet më tej bashkëpunimi në zbulimin e aseteve kriminale të fshehura në vendet e tjera dhe që kanë prejardhjen nga korrupsioni dhe veprat e tjera penale që lidhen me shpërdorimin e funksioneve publike.
Gjithashtu, Ministrja theksoi se është e nevojshme që vlerësimeve të kryera nga GRECO t’i jepet një rol më të madh nga Komisioni, institucionet e tjera të Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare, gjatë matjes së performancës së vendeve të rajonit, në kuadër të procesit të integrimit evropian. Në përfundim të Konferencës të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan rolin që luan Këshilli i Evropës dhe GRECO në luftën kundër korrupsionit dhe praktikat e mira që u sollën nga secili prej të ftuarve të nderit.
g.kosovari