7,7 miliardë banorë ka bota sot, trefishin e popullsisë që ka pasur më 1950, kur OKB ka filluar të përpilojë raportin për perspektivat e zhvillimit të popullsisë në botë.
Rruzulli tokësor ka 7,7 miliardë banorë, thotë raporti i fundit i OKB për popullsinë, bërë publik ditën e hënë (17.06). Bota nuk ka pasur kurrë kaq njerëz sa ka sot. Kina ka numrin më të madh të banorëve 1,4 miliardë, pasuar nga India me 1,355 miliardë. Mbas dhjetë vjetësh pritet që India të kthehet në vendin me numër më të lartë popullsie, duke i zënë vendin Kinës.
Vendet me numër më të madh popullsie, mbi 100 milionë janë SHBA me 329 milionë banorë, Indonezia, Brazili, Pakistani, Nigeria, Bangladeshi, Rusia, Meksika, Japonia, Etiopia dhe Filipinet. Popullsia e këtyre vendeve pritet të rritet. Përjashtim bëjnë Japonia dhe Rusia, ku pritet ulje e madhe pas vitit 2050. Vendi me popullsi më të ulët, është Vatikani me 801 banorë. Ata që lindin sot, pritet të kenë jetë mesatare 72,6 vjetë, por njerëzit në vendet e varfëra e kanë këtë mesatare 7 vjet më pak.
Shifrat për përshtatje politikash
Shifrat nuk janë për të shuar kuriozitetin por i shërbejnë organizatave dhe qeverive për të përshtatur politikat në bazë të tendencave demografike. Ekonomitë më të mëdha të botës, kanë numër të vogël popullsie, sidomos në Europë. Dhjetë ekonomitë më të mëdha si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia kanë popullsi më të vogël se 100 milionë.
2000 vjet më parë rruzulli është populluar nga gjithsej 200 milionë njerëz. Shifrën e 1 miliardit, numri i popullsisë e arriti në fillim të shekullit të 19-të dhe 2 miliardshin e arriti në vitin 1927. Brenda një shekulli popullsia e botës është trefishuar. Arsyet janë të ndryshme, por dietat, mjekësia, kushtet sanitare, vaksinat kanë ndihmuar në rritjen e numrit të popullsisë. OKB parashikon që 30 vitet e ardhshme popullsia e botës të rritet me 2 miliardë banorë.
Migracioni për ndryshimet demografike
Tre janë çështjet kryesore që ndikojnë në popullsinë e botës: lindjet, vdekjet dhe migracioni. Migracioni është kthyer në faktor të rëndësishëm për ndryshimin e popullsisë në disa vende. Dhjetë vitet e fundit 14 vende kanë patur prurje migracioni mbi 1 milionë vetë. Në disa vende si Bangladeshi, Nepali dhe Filipinet kanë patur shtim të migrantëve të punës për shkak të nevojave. Në vendet me konflikte si Siria, Myanmari dhe Venezuela njerëzit kanë ikur nga konfliktet. Kurse Bjellorusia, Gjermania, Hungaria, Italia, Japonia, Rusia, Serbia dhe Ukraina do të kenë dekadën e ardhshme shtim të numrit të migrantëve, për të plotësuar rënien e popullsisë shkaktuar nga numri i vdekjeve, që është më i madh se i lindjeve. /DW
g.kosovari