Pjesë e përgjimeve të publikuara sot nga gazetari i gazetës gjermane ‘Bild’ Pieter Tiede është edhe një bisedë mes kryeministrit Edi Rama me Arben Keshin, i cili sipas “Bild” është zyrtar në Ministrinë e Brendshme dhe personi i ngarkuar me fushatën elektorale. Keshi i ankohet Ramës se Flamur Noka me një grup prej 50 vetash e prisnin te dera hotelit komisionerin e PS, për t’i bërë presion. Po çfarë ndodhi në Maqellarë në shtator të 2016, në kuadër të zgjedhjeve për Bashkinë e Dibrës? Kupolat drejtuese të dy kampeve politike u zhvendosën në Dibër dhe sidomos në Maqellarë, e cila është njësia e dytë më e madhe administrative e Bashkisë së Dibrës.
Përpos grupit parlamentar demokrat, në Maqellarë zbarkoi edhe Dasho Aliko i Lazaratit me grupin e tij. Dasho Aliko ishte në cilësinë e kryevëzhguesit e të PD. Në Dibër dhe në Maqellarë zbarkuan edhe 100 anëtarë të Korpusit “Azem Hajdari”. Kjo strukturë e posaçme me ish-policë dhe persona me të kaluar të dyshimtë, të veshur njëlloj me të zeza, u përdor nga PD në zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës. Në këto zgjedhje u angazhuan gjithashtu edhe Arben Sefgjini, kryetari i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu dhe i gjithë kahu i fortë i Partisë Demokratike.
Grupi në Maqellarë drejtohej nga Flamur Noka, i cili u akuzua nga pala tjetër se ngriti postoblloqe në zonën e Maqellarës duke kontrolluar automjetet dhe qytetarë, në kuadër të planit për mbrojtjen e votave. Në atë kohë, Partia Socialiste denoncoi se pre e dhunës së grupit të Flamur Nokës në Maqellarë kishte rënë edhe shtetasi Artan Isaku. Ndërkaq, sipas policisë, Flamur Noka i nxori armën Artan Isakut. Po ashtu, një tjetër shtetas, D. I, ka deklaruar në polici se në afërsi të shkollës së mesme Maqellarë është goditur nga disa persona dhe konkretisht nga deputeti në të atë kohë i Partisë Demokratike F.N, shoferi i tij dhe shtetasi D. S.
Sipas policisë, Noka autorët e ngjarjes udhëtonin në makinën Audi Q-7 me ngjyrë gri me targë AA 007 JF. Drejtuesi i mjetit Audi Q-7 nuk iu bind urdhrave të punonjësve të policisë për të ndaluar, por me shpejtësi lëvizi indietro dhe si pasojë u përplas në një nga shtyllat e ndriçimit duke e dëmtuar atë plotësisht. Megjithëse punonjësit e policisë vazhdonin t’i bënin shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit, ai përsëri nuk u bind por lëvizi me shpejtësi para në drejtim të qytetit Peshkopi duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e punonjësve të policisë.
Gjithashtu, Noka u akuzua nga pala tjetër se kishte kërcënuar dhe fyer në telefon Gj.T. drejtoreshë e gjimnazit Maqellarë; G.Q. drejtor i shkollës 9-vjeçare në Maqellarë; E.M. drejtor i shkollës 9-vjeçare Kllobçisht; M.V. zv.drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare Pocest dhe R.D. specialist i ndihmës ekonomike në Maqellarë. Ndërkaq, Flamur Noka nga ana e tij i ka mohuar këto incidente.
/Shqiptarja.com