Partia Demokratike flet për një takim që ministri i Brendshëm ka pasur në zyrën e tij me punonjësin e gardës që njëherësh është edhe shoqërues i kryedemokratit Basha, takim në të cilin Sandër Lleshaj – gjithmonë sipas PD-së, i ka thënë gardistit Feim Dollapi, se liderit demokrat Lulzim Basha i kanoset rrezik.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi në një letër dërguar ministrit të Brendshëm thotë se Feim Dollapi, punonjës i Gardës së Republikës, me detyrë shoqërues i kryetarit të PD-së Lulzim Basha, e ka informuar sekretarin e PD-së, se ka pasur një takim me ministrin Lleshaj në zyrën e këtij të fundit. Sipas Bardhit, gardisti i ka treguar sekretarit të PD-së, se Lleshaj i ka folur për rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit demokrat Lulzim Basha. Sipas gardisit, cituar në letrën e Bardhit, ministri Lleshaj i ka kërkuar që shoqëruesi i liderit të opozitës, ta informojë verbalisht nëse Basha vlerëson se kërkon masa shtesë sigurie.
Bardhi thotë se ministri duhet t’i informojë zyrtarisht, ndryshe do ta konsiderojnë manipulim për qëllime politike duke theksuar se nëse rreziku që i kanoset Bashës rezulton i pavërtetë, atëherë Lleshaj do të mbajë përgjegjësi. “Duke pasur parasysh rrethanat kur dhe si është zhvilluar ky takim dhe shkeljen e standardeve ligjore dhe institucionale nga ana juaj në trajtimin e informacionit që pretendoni se posedoni, përforcohet dyshimi se qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhimi i kryetarit të opozitës”, thotë Bardhi.
Në letër, Bardhi i thotë Lleshajt, se nëse një rrezik i tillë do të ekzistonte, ministri duhej ta trajtonte këtë informacion në rrugë institucionale, tek drejtuesit e Gardës së Republikës. Sipas Bardhit, nëse ka rrezik për sigurinë e Bashës apo jo, nuk mund ta vlerësojë një punonjës i thjeshtë i gardës, as vetë Basha që sipas ligjit gëzon mbrojtje.
Në përfundim, Bardhi i shkruan Lleshajt se takimi që ka bërë me shoqëruesin e Bashës është jashtë praktikës ligjore.
“Me këtë qëndrim ju keni shkelur cdo procedurë dhe cdo mënyrë institucionale të trajtimit të kësaj çështje”, përfundon letra e Bardhit dërguar ministrit të Brendshëm.