Deputeti Ralf Gjoni i ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN komentoi situatën politike po dhe vendimin e tij për të mos votuar në Kuvend mocionin kundër Presidentit.
Gjoni në radhë të parë ka dëshirë të sqarojë se me vendimin e tij donte t’ i tregonte shqiptarëve se politika e vendit po shndërrohet në “ një krevat tresh, ku janë tre palë që rrotullohen njëra me tjetrën. Pra është një farsë teatrale një skenë e mirëkoordinuar dhe e përsëritur, ashtu si aktorët që bëjnë prova gjenerale”. Ashtu si në teatrin kinez ka “efekte speciale, barut, lojëra hijesh, shpërthime”, edhe në Kuvend ka kriza të njëpasnjëshme, që tërheqin vëmendjen nga skandalet që ndodhin.
Kjo justifikon mos votimin e tij, sepse “vota nuk kishte asnjë vlerë juridike”, dhe jo marrëdhëniet që ka patur si ish këshilltar i presidentit. “Kapitulli im me Ilir Metën është mbyllur në korrik të 2017-ës”, thotë ai.
Gjoni vijoi duke thënë se sipas tij Parlamenti “është legjitim sipas parimit të minimumit kushtetues”, dhe për t’ u quajtur i tillë në numra nuk do të kishte nevojë as për deputetët e opozitës të pranishëm në Kuvend.
Shtyrja e zgjedhjeve nga presidenti sipas tij e ka “përkeqësuar krizën”, dhe ato duhet të mbahen në 30 qershor, edhe pse “ nuk do të jenë më të mirat e mundshme” , për shkak të precedentit që do të krijonin në Rajon.
g.kosovari