Menjëherë pas ndryshimit të projektit, qeveria ka hapur me shpejtësi tenderin për ndërtimin e Unazës së Re në segmentin që përfshin rrethrrotullimin e “Shqiponjës”.
Ky është tenderi i tretë për rrethrrotullimin e shqiponjës, por tashmë me një projekt të ndryshuar. Projekti i parë që parashikonte ndërtimin e mbikalimit u tenderua dy herë. Tenderi i parë u fitua nga kompania fantazmë “Dh Albania” me një vlerë 20 milionë euro, aq sa fondi limit, por pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve qeveria u detyrua ta anulojë kontratën.
Në tenderin e dytë kostoja e ndërtimit zbriti ndjeshëm deri në 14 milionë euro, por autoriteti rrugor i skualifikoi të gjitha ofertat si të pavlefshme. Menjëherë pas anulimit të garës së dytë, ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të ndryshonte projektin teknik të veprës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
Projekti i ri mban të njëjtën vlerë si ai i mëparshmi, por në vend të mbikalimit rrethrrotullimi shqiponja shndërrohet në nënkalim. Sipas bashkisë dhe ministrisë së infrastrukturës, projekti i ri i prezantuar per mbikalimin “Shqiponja” është miratuar nga këshilli teknik dhe ofron një zgjidhje më të mirë për trafikun dhe hapësirat përreth veprës./tch
g.kosovari