Nga Ben Andoni
Është një përgjigje e thjeshtë që mund ta japë çdo qytetar i përkëtej kufirit. Neve ishim të zënë me kalkulimet e numrave për shkarkimin e presidentit Ilir Meta dhe me batërdisjen e kryeministrit të vendit, Edi Rama apo me dëshmitë belge të kryetarit të Opozitës. Në çdo bisedë, në çdo medium, në çdo aspekt të përditshmërisë kudo flitet e njëjta gjë: Si do të zgjidhim krizën? Kush e ka realisht fajin? E sa për përvjetorin e Kosovës, ka kohë. Vjen 25 vjetori, pastaj 30 vjetori e me radhë. Paçka se ne sërish do kemi kriza, mbase pak më të sofistikuara por gjithsesi kriza. Një të tillë, madje, gati ulëritëse patëm në Shqipëri 20 vite më parë, në momentin kur kosovarët prisnin të dëboheshin, sepse politika jonë nuk i kishte sytë në ballë për katrahurën që po ndodhte. Paradoksi? Mu ata janë sërish në krye të vendit dhe bëjnë fatet e vendit tonë.
Shqipëria nuk festoi për Kosovën dhe për një arsye tjetër. Prej kohësh, të dy vendet tona e shohin veten si fqinje por aspak vende simotra, sivëllezër apo çkado. Në korrik thuhet se në rast se nuk zgjidhen disa probleme me shkëmbimin e mallrave, shteti i vogël shqiptar do të aplikoj taksa edhe për ne. E nuk mjafton këtu: dy vendet tona janë tashmë arenë ku zyrtarët respektivë përplasen me idetë patriotike dhe me garën për të treguar se cili e do më shumë shqiptarinë, këtë sport të kinseve të shumta.
Kosova nuk u bë dot për 20 vjet si Zvicra, Suedia dhe Gjermania, sepse realisht nuk mund të bëhet por mësoi nga vendi Amë sesi ta zhvaste vendin në të gjitha nivelet, sesi të rehatonte militantët dhe si të ngrinte epope luftërash që nuk kishin ndodhur. Britma dje e atij familjarit të dëshmorit të UÇK-së, para varrit së të atit rrëfente më mirë zhgënjimin, por edhe mos realizimin e ëndrrave të heronjve. Si dy pika uji ndodhi me Shqipërinë. Në gati 30 vjet Demokraci treguam sesi ta zhvatim vendin, duke përdorur terminologji të sofistikuar dhe kinse Tregun e Lirë. Por, nga ana tjetër mësuam sesi të ishim edhe të pandjeshëm, së pari me datat tona të ndjera.
Këtë e ndjen në harresën e përkujtimit të shumë idealistëve të gjithë kohërave, por këtë e ndjen dhe në ftohtësinë e frikshme me të cilën përcollëm Kosovën. Që nga protokolli ku zyrtarët tanë rrinin larg njëri-tjetrit si të ishin krejt të huaj, por edhe nga ajo që në Shqipëri nuk pati fare kohë për këtë datë kaq të madhe për Kosovën. (Javanews)