“Nuk ka kohë më të mirë se tani për të bërë marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë”. Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer, në 20 vjetorin e lirisë së Kosovës. Palmer apeloi krerët e shtetit të Kosovës të shfrytëzojnë mundësinë për të siguruar një të ardhme më të mirë.
Palmer: Në këtë përvjetor solemn i përkujtojmë shumë ushtarë dhe njerëz që kanë humbur jetën apo plagosur. Sot ju sfidoj të shihni një të ardhme më të ndritur, SHBA-të do të jenë në anën tuaj. Përparimi kërkon zotim nga liderët e Prishtinës dhe të Beogradit për të siguruar mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe të sjellin paraligjit ata që kanë shkaktuar krime lufte dhe dhunë. Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë së bashku në emër të të gjithë viktimave në mënyrë që të kenë qasje në drejtësi dhe të gjejnë fatin e të humburve. Ata duhet të lënë mënjanë retorikat nacionaliste.
Shpalosja e traumave të luftës nuk ndihmon në ngritjen e një vendi demokratik. SHBA qëndrojnë pranë Kosovës për të inkurajuar përparimin. Por tani është koha që Kosova të forcojë përpjekjet e saj për të arritur një paqe të qëndrueshme duke arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, me përfundim me njohje të dyanshme.
Ky sukses kërkon të largohen të gjitha barrierat dhe të ketë frymë bashkëpunimni. Kosova dhe Serbia do të jenë gjithmonë fqinj, të dy vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen europiane. Nuk ka kohë më të mirë dhe më të përshtashme se tani për ta bërë këtë, Greqia dhe Maqedonia së fundi e bënë pajtimin, një arritje nga liderë largpamës. Nëse Kosova nuk lëviz përpara dhe kthehet pas, gjithkush do të humbë nga ky bllokim. SHBA qëndrojnë të gatshme për t’ju mbështetur në realizimin e këtij objektivi.
Palmer, tha se SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë partner mbështetës i Kosovës, por porositi institucionet e Kosovës që të angazhohen në fuqizimin e fuqizimin e rendit dhe ligjit.
Palmer: Një e ardhme e ndritur varet nga rendi dhe ligji, demokracia e fortë dhe llogaridhënia si dhe refuzimi i pandëshkueshmërisë.